Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka njoftuar se ka pezulluar sot dy 2 punonjës të pikës kufitare ‘Hani i Hotit’.
Sipas hetimeve të kryera rezulton se dy punonjësit në shtator të këtij viti kanë lejuar kalimin e një kamioni me targa të Bosnjë- Hercegovinës me drogë.
Pas daljes nga territori i Shqipërisë kamioni është ndaluar nga policia malazeze, ku gjatë kontrollit kanë gjetur 14 pako PVC, me përmbajtje të një lënde bimore të ngjashme me lëndën narkotike mariuhanë, me peshë bruto 131.7 kg.
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar në nenet 242 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale, për dy punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.
B.Q., me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit”.
E.K., me detyrë Trupë Shërbimi / Kontrollor në vijën e dytë në Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit”.
Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas hetimeve të thelluara me metoda speciale, në lidhje me ngjarjen e datës 05.09.2025, ku një kamion me targa të Bosnjë- Hercegovinës pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë është ndaluar nga policia malazeze. Pas kontrollit të ushtruar në kamion janë gjetur 114 pako PVC, me përmbajtje të një lënde bimore të ngjashme me lëndën narkotike mariuhanë, me peshë bruto 131.7kg.
Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.







