Ballina Opinion ‘Bela Mafia’ bëhet ‘Belaja Rama’

‘Bela Mafia’ bëhet ‘Belaja Rama’

87
0

Nga Basir Çollaku 

Raundi i parë… Bandat janë përplasur… Dosjet janë ndezur… Ortakëritë janë lëkundur. Miliardat fort janë trazuar. Armët janë kapur. Offshorët janë alarmuar. Ultimatumet janë dhënë. Përgjimet janë derdhur në tryezë. Bela Mafia, mafia e bukur, duket se po fiton betejën e parë, duke shtuar përpjekjet në sulm, si armë asgjësuese e vetëmbrojtjes. Është përballje ku kurban nuk do të bëhet vetëm njëra nga palët. Ajo është kthyer Belaja e Ramës.

Belinda Balluku është e pandehur për abuzime të mëdha. Por, në një numër të madh vendimesh qeverie, ajo firmos në mungesë dhe me porosi të shefit të saj, kryeministrit. Mbi 90 për qind e vendimeve kanë këtë nënshkrim edhe më 23 e 29 tetor, deri më 5 nëntor, ku Rama vendos vetëm emrin e tij. Ndoshta po e njofton shkarkimin e saj si zëvendëskryeministre. Si mund të jenë vetëm, të ndarë në përgjegjësi e mosdijeni, kur bashkërisht kanë vendosur!?

Mafia ka emra. Trafiku gjithashtu. Mediet evropiane në Holandë e Francë e mbyllën javën e shkuar me deklarime të forta, duke iu referuar aksesit të tyre shkresor nëpër dosjet zyrtare të partnerëve. Olsi Rama gjendej shofer në makinën e trafikantëve të laboratorit të kokainës në Xibrakë. Dokumentet hetimore e konfirmonin këtë. Prokuroria e fali, duke e rikthyer në harresën policore. Po në këto investigime përmendet se Taulant Balla gjendet në përgjime me trafikantët e drogës. Nuk mund të harrohen përgjimet në vitin kur u vranë pjesëtarë të familjes Çapja, ku Balla dyshohej se fliste me të dyshuarit si autorë, por gjyqtarja Fetahu, e dënuar më pas si lidhje e Suel Çelës, urdhëroi asgjësimin e tyre.

Sepse, po në përgjimet e denoncuara nga oficeri i infiltruar Emiljano Nuhu, për telefonatën mes Taulant Ballës dhe Suel Çelës në vitin 2017, flitej për 3 milionë euro, dhënë nga banda e socialistëve për zgjedhjet. E në këmbim, ata donin largimin e 11 oficerëve drejtues policie në Elbasan, se po bëheshin jo bashkëpunues. Dhe ndodhi siç trafikantët kërkuan.

Me vajtjen e bashkëshortit të Elisa Spiropalit në Strukturën e Posaçme, shenjat për një përfshirje hetimore të familjes së ministres plotësojnë ekipin e Belasë së Ramës. Veliaj zhurmon sikur Kushtetuesja e shpalli të pafajshëm, me rrëzimin e dekretit e VKM-së shkarkuese, e përmend një USB të mbajtur me vete në qeli, si mesazh shtrëngues ndaj shefit të qeverisë e të partisë.

Balluku është e pandehur zyrtarisht për tunelin e Llogarasë; më pas vijnë termocentralet e energjisë në Vlorë, ku del ambasadorja Kim, por edhe iranianë e turq në histori nafte dhe jo vetëm. Më ngjitur aeroporti i Vlorës, ku aksioneri kryesor Begjet Pacolli tregon publikisht, mediatikisht, se si duan t’i marrin investimin dhe si vendoseshin në zyrën e ministres Balluku kompanitë fituese për dhjetëra milionë euro.

Me regjistrimin si e pandehur, për ministren ka nisur njëherësh hetimi pasuror. Në radhë është akuza për pastrim të produkteve të veprës penale. Emra të botës së krimit pranë punëve të fituara kanë secili ministrin e kryeministrin e tij. Ata janë të dy bashkë, garant të punëve të dhëna dhe nuk munden të rrëzohen më vete. Balluku ia ka dalë ta gjunjëzojë Ramën deri tani, për shkakun se ajo është rruga për ta marrë atë të pandehur. Shefi kërkon kohë.

Duke marrë në konsideratë lëndën e Sky–Encro rreth dosjeve të reja qeveritare, asnjëri nga personazhet ministra, duke përfshirë edhe Edi Ramën, nuk kanë parë gjë akoma. Heshtja aktuale është përgatitje për goditje fatale të njërit prej kundërshtarëve. Rama apo Balluku do të dorëzohet i pari!? Partnerët mendojnë e kontribuojnë se duhen të dy paketë.

Kjo dosje ka edhe të dhëna apo episode amerikane. Kërkimi nuk mbetet vetëm në Qipro, Dubai, por edhe në SHBA; dyshimet përmendin transferta e sasi të mëdha financiare nën sitën e filtrit ligjor. Veprimet e shtuara hetimore për Charles McGonigal, ku Rama, Veliaj e shumë ministra, biznese të mëdha, shërbime ruse e kineze janë në këtë pusetë ndërkombëtare, e shtojnë panikun e kryeministrit.

Dashuria me klanin “Soros” dhe fshehja e fotos me çiftin e fondacionit, pak ditë më parë, është një telash shtesë në përballjen amerikane të Ramës. Marrja e damkës “narkoshtet”, renditja e njëjtë me Maduron, me Meksikën, Ekuadorin e Kolumbinë, e bën Ramën shënjestër të lëvizshme të kokainës.

Kujtojmë se trafikantët shqiptarë ofruan një milion euro për të vrarë prokurorin federal belg. Pak ditë më pas, Rama porositi një mjet të blinduar prej 800 mijë eurosh. Faktet bërtasin. Bela Mafia, e cila qeveris Shqipërinë në kaq mote, nën regjinë e Ramës, tani është bërë Belaja e Ramës…