Ballina Aktualitet Mbi 1 milion euro gjoba për ndërtimet pa leje në zonën e...

Mbi 1 milion euro gjoba për ndërtimet pa leje në zonën e Farkës

101
0

Prej një jave ka nisur operacioni i inspektimit, evidentimit dhe prishjes së objekteve pa leje në Farkë.

Në vijim të operacionit kombëtar për vendosjen e ligjshmërisë në territor për ata që ndërtojnë pa leje apo për qëllime fitimi, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu bëri sot një bilanc të operacionit të përqendruar në zonën e Farkës prej datës 3 nëntor.

Koçiu tha se “në çdo kantier ku konstatohen shkelje, mesazhi është i qartë: Askush nuk është mbi ligjin, as pronarët e vilave, pallateve apo komplekseve, as zaptuesit e zakonshëm, as inspektorët apo funksionarët që kanë përdorur detyrën për të abuzuar apo neglizhuar”.

Ministrja Koçiu tha se nga operacioni në zonën e Farkës janë inspektuar deri tani 68 objekte, janë prishur 2736 m² objekte si vila, pa leje, janë vendosur mbi 1 milion euro gjoba ndaj subjekteve, si dhe janë proceduar penalisht 18 persona.

Sipas Koçiut, 13 nga personat e proceduar janë inspektorë të mbrojtjes së territorit, të cilët kanë mbyllur sytë përpara shkeljeve.

“Operacioni për ligjshmërinë në territor do të vijojë e nuk do të ndalet, nga hapësirat publike tek çdo leje e miratuar, që duhet të zbatohet drejt dhe sipas ligjit. Do të vijojmë për sa kohë të jetë e nevojshme për të bërë të mundur që çdo lekë i investuar nga shqiptarët të kthehet në një pronë me cilësi, planimetri dhe standardet e merituara dhe çdo pëllëmbë e zaptuar t’u kthehet qytetarëve dhe komuniteteve”, përfundoi Koçiu.