Ballina Europë E fshehur në kontejnerë me karkaleca e oktapodë, sekuestrohen mbi 175 kg...

E fshehur në kontejnerë me karkaleca e oktapodë, sekuestrohen mbi 175 kg kokainë në portin e Gioia Tauro

122
0

Një tjetër goditje e fortë iu është dhënë trafikut ndërkombëtar të drogës nga autoritetet italiane. Guarda e Financës e Reggio Calabrias, në bashkëpunim me Agjencinë e Doganave dhe Monopoleve të Gioia Tauro-s, ka sekuestruar mbi 175 kilogramë kokainë të pastër në një operacion të zhvilluar në portin e Gioia Tauro-s.

Sipas dokumenteve të transportit, ngarkesat përmbanin oktapod dhe karkaleca të ngrirë, por hetuesit dyshuan për përmbajtjen e tyre pas analizave të rrezatimit dhe profileve të transportit.

Pasi konteinerët iu nënshtruan një skanimi të detajuar me pajisje radiogjene, si dhe kontrolleve me njësitë e qenve antidrogë, u zbuluan 154 pako kokainë, me peshë totale mbi 175 kilogramë. Droga ishte e fshehur në mënyrë profesionale për të shmangur zbulimin gjatë kontrolleve doganore.

Sipas vlerësimeve të autoriteteve italiane, sasia e sekuestruar do të kishte një vlerë tregu që kap dhjetëra milionë euro nëse do të dilte në qarkullim.

Operacioni është pjesë e një plani të gjerë kontrollesh dhe monitorimesh që po zhvillohet në portin strategjik të Gioia Tauro-s, një nga pikat më të rëndësishme hyrëse të mallrave në Evropë dhe shpeshherë objekt i tentativave të organizatave kriminale ndërkombëtare për trafik droge.

Autoritetet italiane theksojnë se kontrollet do të vazhdojnë të intensifikohen në të gjithë zonën portuale, për të parandaluar çdo tentativë të re për trafikim lëndësh narkotike dhe për të goditur rrjetet e trafikut që operojnë midis Amerikës Latine dhe Evropës.