Policia e Tiranës i ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve spanjolle të zbulojnë lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit gjatë qëndrimit të tyre 4-ditor në Barcelonë, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.
Që pas atentatit pranë aeroportit të Rinasit, forcat e rendit kanë kryer kontrolle në zona të ndryshme të Tiranës dhe rrethinave, përfshirë Kamzën, Niklën dhe Fushë-Krujën. Kontrolli u fokusua te godina të braktisura dhe te persona të skeduar më parë, por deri tani nuk është gjetur asnjë provë e vlefshme për hetimin.
Si pjesë e hetimeve, janë shoqëruar të paktën 15 persona, kryesisht familjarë të viktimës dhe të plagosurit.
Sipas ekspertizës paraprake të morgut të Tiranës, Gilmando Dani ka marrë 20 plumba, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbi 80 gëzhoja. Ndërsa në Spitalin e Traumës, vazhdon të jetë i intubuar Muçi Shaljani, i cili ka marrë 10 plumba, dy prej të cilëve në kokë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të motivit të atentatit.







