Ballina Kulturë “Jam Mysliman”/ “Është roman, jo thirrje politike”, Ben Blushi flet për librin...

“Jam Mysliman”/ “Është roman, jo thirrje politike”, Ben Blushi flet për librin e ri: Flas për fanatizmin që rrezikon lirinë tonë

77
0

Shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi ka folur në një intervistë për News24 mbi librin e tij të fundit, “Jam Mysliman”, i cili ka ngjallur edhe debate në rrjetet sociale. Blushi theksoi se romani nuk ka karakter politik, por synon të trajtojë me realizëm fenomenin e fanatizmit dhe kufizimin e lirisë individuale në shoqëri.

“Imagjinata të çon ku të duash, është çështje imagjinate. Unë jetoj në Shqipëri, njoh këtë terren dhe përshkruaj realitetin që më jep të drejtë çdo ditë për ato që them. Libri është kundër një kontingjenti fanatikësh që rrezikojnë liritë tona, të cilët më janë sulur pa e lexuar librin,” u shpreh Blushi.

Ai sqaroi se nuk e cenon bashkëjetesën fetare, por përkundrazi, e mbron si një nga vlerat më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. “Unë jam ateist, por kam të drejtë të mos besoj, njësoj siç ka të drejtë çdo besimtar të besojë. Shoqëria duhet të jetë e barabartë për të gjithë,” shtoi autori.

Blushi zbuloi se frymëzimin për romanin e ka marrë nga realiteti shqiptar, ndërsa kujtoi momente nga udhëtimi i tij në Arabinë Saudite, ku vizitoi Mekën si pjesë e një panairi libri. “Shkova nga kurioziteti dhe pashë një vend paqësor, ku njerëzit ishin të zhveshur nga të këqijat tokësore. Askush nuk më pengoi edhe pse nuk besoj,” rrëfeu ai.

Sa i përket polemikave, Blushi u shpreh se disa botues e kanë refuzuar librin nga frika e reagimeve, por më pas gjeti mbështetje te shtëpia botuese Onufri. “Më vjen keq që libri nuk po gjykohet artistikisht. Onufri e pranoi pa e lexuar fare, botuesi është njeri mendjehapur,” tha ai.

Në përfundim, shkrimtari deklaroi se nuk ka frikë nga sulmet apo keqkuptimet: “Nëse unë duhet të kem frikë për një roman, atëherë duhet të kenë frikë të gjithë. Unë nuk kam bërë krim, thjesht kam shkruar një histori për një burrë që bëhet mysliman.”