Departamenti Amerikan i Thesarit ka shpallur sot sanksionimin e organizatës së krimit të organizuar “Hysa”, të drejtuar nga biznesmeni Luftar Hysa, duke e lidhur drejtpërdrejt me pastrimin e parave të kartelit famëkeq meksikan “Sinaloa”. Sipas deklaratës zyrtare, goditja ndaj “Grupit të Krimit të Organizuar Hysa” është rezultat i një operacioni të përbashkët mes SHBA-së dhe Qeverisë së Meksikës, që zbuloi përdorimin e rrjetit të kazinove, restoranteve dhe investimeve të familjes shqiptare si mbulesë për shpëlarjen e fitimeve nga trafiku i drogës.
Thesari thekson se Luftar Hysa “operon mes Meksikës dhe Kanadasë” dhe del shpesh publikisht si figurë kryesore e familjes, duke promovuar aktivitetet e saj në mediat ndërkombëtare. Për publikun shqiptar, Hysa njihet nga intervista e tij në emisionin “Opinion”, ku tregoi se ishte takuar me kryeministrin Edi Rama për një projekt artistik që synonte promovimin e Shqipërisë përmes një libri fotografish nga autori britanik Max Miligan. Sipas tij, prezantimi me Ramën ishte bërë “nga një mik gjerman, mik i mirë i Shqipërisë”.
Por njoftimi i Thesarit hedh dritë mbi një dimension krejt tjetër: sipas autoriteteve amerikane dhe meksikane, Luftar Hysa së bashku me vëllezërit e tij – Arben, Fatos dhe Fabjon – kanë përdorur investimet në Meksikë për të pastruar miliona dollarë të fituara nga trafiku i drogës në bashkëpunim me kartelin “Sinaloa”. Grupi akuzohet gjithashtu se ka punuar me shtetas amerikanë për transportimin e sasive të mëdha të parave në dorë nga Meksika drejt SHBA-së, me qëllim final pastrimin e tyre.
Ky është një nga rastet më të rëndësishme ku emra shqiptarësh shfaqen në listën e sanksioneve të SHBA-së, duke lidhur drejtpërdrejt aktivitetet e tyre me një nga organizatat kriminale më të frikshme në botë./vna







