Ballina Kosovë Pensioni bazë në Kosovë nga sot arrin 150 euro

Pensioni bazë në Kosovë nga sot arrin 150 euro

89
0

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve në Kosovë, Hekuran Murati, në ditën kur do të ekzekutohen pensionet e reja ka thënë se asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti.

Murati ka shkruar në Facebook se pensionin bazik e gjetën 90 euro e nga sot sipas tij, do të jetë 150, një rritje, siç shkruan ai, prej 67 për qind brenda mandatit.

Ndërkohë, për personat me aftësi të kufizuar tha se pensionet i rritën për 100 për qind, nga 75 sa i gjetën në 150 që do t’i marrin sot.

“Asnjë qeveri nuk i ka rritur pensionet sikurse Qeveria Kurti. Pensioni Bazik të cilin e gjetëm me vlerë 90 euro/muaj në fillim të mandatit, prej sot procesohet me rritje me vlerë 150 euro/muaj. Pra 60 euro rritje brenda mandatit, apo 67%. Ngjashëm edhe Pensionet për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilat i gjetëm me 75 euro/muaj dhe nga sot ato bëhen 150 euro/muaj, apo 100% rritje brenda mandatit. Gjithashtu, kemi rritur edhe mbështetjen për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, por edhe pensionin invalidor e atë familjar”, ka shkruar Murati në Facebook.

Vendimi për rritjen e pensioneve u mor në mbledhjen e qeverisë më 31 dhjetor, ku u vendos gjithashtu edhe për rritjen e shtesave për fëmijë për 50 për qind.