Ballina Aktualitet Skandali/ Posta shqiptare kthehet në agjent marketingu për shushunjat e mikrokredive

Skandali/ Posta shqiptare kthehet në agjent marketingu për shushunjat e mikrokredive

100
0

Ndërsa Banka e Shqipërisë paralajmëron për rreziqet e kredive të pakontrolluara dhe po përpiqet të frenojë huadhënien e papërgjegjshme që ka shkaktuar drama financiare në mijëra familje, një institucion shtetëror po vepron në drejtim të kundërt.

Posta Shqiptare ka hapur dyert për kompanitë e mikrokredisë, duke u bërë praktikisht një filial publik i Iute Credit, një prej subjekteve më të kritikuara për interesat e larta dhe praktikat zhvatëse ndaj qytetarëve.

Në një postim në rrjetet sociale, Posta Shqiptare njoftoi se qytetarët mund të aplikojnë për kredi të Iute Credit drejtpërdrejt në sportelet e saj, duke e paraqitur këtë si një “mundësi të lehtë” për t’u financuar.

Skandali/ Posta shqiptare kthehet në agjent marketingu për shushunjat

Në realitet, këto janë kredi me interesa dhe komisione shumë më të larta se ato bankare, të cilat shpesh e fusin kredimarrësin në një spirale borxhesh që siç konfirmoi edhe skandali i mikrokredive, mund të përfundojë me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, shkruan Skyweb.al.

Klientët e mikrokredisë janë zakonisht individë që nuk arrijnë të përfitojnë kredi në sistemin bankar, për shkak të mungesës së të ardhurave të verifikueshme, papunësisë ose historikut të keq të pagesave.

Këta persona bëhen shënjestra e lehtë e institucioneve të mikrokredisë, të cilat japin shuma të vogla në dukje, por me interesa që mund të shumëfishojnë borxhin brenda pak muajsh.

Kujtojmë se skandalet me mikrokreditë në Shqipëri kanë prodhuar jo vetëm mijëra raste të grabitjes ligjore të qytetarëve, por edhe dy viktima që humbën jetën pas presioneve të egra për shlyerjen e detyrimeve. Përkundër këtyre rasteve, Posta Shqiptare – një institucion shtetëror – i ofron tashmë këtyre kompanive rrjetin e vet zyrtar për të zgjeruar aktivitetin dhe për të legjitimuar praktikisht zhvatjen e qytetarëve me logon e shtetit.

Kjo lëvizje bie ndesh me qëndrimin e Bankës së Shqipërisë, e cila ka paralajmëruar prej kohësh për nevojën e kontrollit rigoroz të aftësive paguese të kredimarrësve dhe për kufizimin e aksesit në kreditë me rrezik të lartë. Në vend që të ndihmojë qytetarët të shmangin borxhet e padrejta, Posta Shqiptare është kthyer në ndërmjetësen e tyre.

Ky është një shembull flagrant se si zyrat e shtetit po kthehen në instrumente të zhvatjes financiare, duke tradhtuar misionin publik që duhet të mbrojnë interesin e qytetarëve- shkruan skyweb.