Ballina Opinion “Na duhen më shumë “llustraxhinj” se gazetarë”

“Na duhen më shumë “llustraxhinj” se gazetarë”

66
0

Nga Mentor Kikia

Një mëngjes të shtune….

Gzimi është llustraxhiu që punon në trotuarin pas Muzeut Kombëtar, në Tiranë.

Kisha kohe pa i lyer këpucët te lustraxhiu.

-Ke punë?- e pyeta

-Shumë pak- tha.

-Ke të drejtë – thashë, – ja edhe unë kam vite që e bëj vetë këtë punë. Që kur kanë dalë këto tubetat e bojës dhe furçat që i blejmë në dyqane.

-Jo vetëm kjo – tha Gzimi. Na mori më qafë atletja. Janë bërë të gjithë me atlete. Çuna, goca, gra e burra. Ja, sa je ulur ti, vetëm dy burra kanë kaluar me këpucë.

Gzimi i shikon kalimtarët nga këmbët, çfarë kanë veshur, sepse ai me këmbët e tjerëve punon.

-Ja dhe ky që ka vesh këpucë, i ka llustru vetë. Nuk e ka bërë mirë, por i ka bërë vetë.

S’kam pension- vijon të tregojë- , s’kam ça të bëj, kam 20 vjet që bëj vetëm këtë pune. Do punoj këtu sa të kem mundësi.

Qytetet dikur gëlonin nga lustraxhinjtë-

-Hajde llustra. -Llustra këtu!

Ndryshojnë kohët. Llustraxhiu thuajse është zhdukur si profesion.

Pale sa profesione do të zhduke AI-ja tani.

Gjithsesi, unë i premtova Gzimit që do vij më shpesh ti lyej këpucët, pasi unë vesh shumë rrallë atlete.

Ndërsa hidhja këto radhë për Gzimin, u kujtova se edhe unë, ashtu si Gzimi, kam punuar pa sigurime nja 10 vjet të paktën. Dhe kam qenë gazetar pa le. Mos duhet të marr edhe unë ndonjë zanat? – mendova – se pensionit nuk i dihet. Se për gazetarë nuk ka më nevojë në Shqipëri.