Nga Ermal Peçi
Nuk e di pse, duke lexuar zhvillimet e fundit që lidhen me ish-drejtuesen e shërbimit sekret, raportin e saj me Ergys Agasin dhe gjithë historia që po shpaloset publikisht, m’u kujtua romani i Gabriel García Márquez, “Dashuri në kohën e kolerës”.
Një roman i jashtëzakonshëm ku ndërthuren dashuria, pabesia, pritja, zhgënjimi dhe kontradiktat e jetës njerëzore. Shqipëria e sotme natyrisht nuk është romani i Márquez-it, por titulli i tij duket sikur është shkruar për realitetin tonë politik: “Dashuri në kohën e kolerës”, në shtetin e Edi Ramës!
Ajo që po tentohet të reduktohet në një pjesë të medias në një histori marrëdhëniesh personale është shumë më e rëndë se aq është degradimi i shtetit që drejton Edi Rama. Nuk është një çështje me radar edhe hajdar por tregon mjerimin që ka kapur këtë qeveri.
Në 36 vite demokracie hibride, me të gjitha problemet që Shqipëria ka kaluar, vështirë se kemi parë një situatë të tillë: mbi një ish-drejtuese të një institucioni të inteligjencës rëndojnë pretendime serioze për dekonspirim apo shpërndarje informacioni te persona që lidhen me interesa kriminale.
Vlora Hyseni nuk mbërriti rastësisht në majën e një prej institucioneve më të ndjeshme të shtetit. Ajo u vendos aty me besimin dhe mbështetjen politike të Edi Ramës. Kryeministri nuk mund të marrë meritën kur emëron njerëzit e tij dhe më pas të distancohet plotësisht nga përgjegjësia politike kur mbi ta bien akuza të rënda.
Në politikë, përgjegjësia nuk fillon vetëm kur provohet se ke kryer vetë një vepër penale. Përgjegjësia është edhe politike: kë emërove, pse e emërove, çfarë kontrolli ushtrove dhe si funksionoi institucioni nën qeverisjen tënde? Prandaj pyetja që duhet bërë sot është shumë e thjeshtë: Po Edi Rama nuk e dinte se çfarë bënte Vlora Hyseni. Kjo histori, sado tronditëse të rezultojë, nuk mund të shihet e shkëputur nga ajo që ka ndodhur gjatë viteve të qeverisjes së Edi Ramës.
Pas më shumë se një dekade në pushtet, akuzat për korrupsion, hetimet ndaj zyrtarëve, dosjet për ndikimin e grupeve kriminale në zgjedhje dhe dyshimet për marrëdhënie mes njerëzve të pushtetit dhe botës së krimit nuk mund të shpjegohen pafundësisht si “raste individuale”.
Arkitektuara që ka ngritur Edi Rama brenda shtetit shqiptar është një panoramë e frikshme me persona të dënuar për korrupsion, të lidhur me krimin, hajdut, imoral edhe njerëz që i shërbejnë bandave por jo qytetarëve.
Në momentin kur grupet kriminale ndikojnë te vota, bashkëpunojnë me zyrtarë, kërkojnë përfaqësuesit e tyre apo arrijnë deri pranë institucioneve që administrojnë informacionin më sekret të Republikës, nuk kemi më vetëm problem korrupsioni. Kemi përballë rrezikun e kapjes së shtetit.
Një shtet i kapur nuk është ai ku kriminelët thjesht ecin të lirë në rrugë. Është shumë më keq. Është një shtet ku krimi nuk ka më nevojë të luftojë institucionet, sepse arrin të gjejë njerëz brenda tyre me të cilët komunikon, negocion apo bashkëpunon. Këtu qëndron edhe përgjegjësia më e madhe politike e Edi Ramës.
Pas kaq shumë vitesh në pushtet, Kryeministri nuk mund të sillet si komentator i sistemit që drejton. Ai është drejtuesi politik i administratës së ngritur gjatë mandateve të tij. Drejtuesit janë emëruar gjatë qeverisjes së tij, ministrat kanë qenë të tij, shumica parlamentare është e tij dhe përgjegjësia për standardin politik të shtetit të ndërtuar gjatë këtyre viteve nuk mund t’i faturohet gjithmonë dikujt tjetër.
Pikërisht në këtë moment SPAK-u po shndërrohet sot në problemin më të madh për një pushtet që për vite me radhë është mësuar të kontrollojë pothuajse të gjithë hapësirën politike. Dosje pas dosjeje, hetim pas hetimi, drejtësia po afrohet gjithnjë e më shumë te nivelet e larta të pushtetit. Tahiri, Dako, Ahmetaj,Veliaj,Balluku, Beqaj, edhe sa e sa emra të tjetë po tregon se SPAK po ia ngushton lakun pushtetit të Edi Ramës.
Sa më shumë hapen dosjet, aq më e vështirë bëhet që gjithçka të shpjegohet me formulën e vjetër të “përgjegjësisë individuale”. Edi Rama mund të distancohet politikisht nga cilido që përfundon nën hetim, por pas kaq shumë vitesh qeverisjeje, bëhet gjithnjë e më e vështirë të ndash Kryeministrin nga sistemi që ai ka drejtuar dhe nga njerëzit që janë ngritur në majat e tij.
Prandaj historia e fundit nuk duhet të përfundojë si një telenovelë me përgjime, marrëdhënie personale dhe tituj rozë. Në qendër duhet të jetë një pyetje shumë më e madhe: sa i sigurt është shteti shqiptar nga njerëzit që vetë shteti ka vendosur në majë të institucioneve të tij?
Në romanin e Marquez-it, dashuria sfidon kohën, largësinë dhe sëmundjen. Në Shqipërinë e sotme kemi një sfidë shumë më pak romantike.
Kolera jonë është korrupsioni.
Kolera jonë është pandëshkueshmëria.
Kolera jonë është depërtimi i interesave kriminale në politikë.
Kolera jonë është shteti që ka ndërtuar Edi Rama.
Historia politike ka treguar se kur degradon shteti, faturën nuk e paguan Rama, as ministrat, as njerëzit e pushtetit. E paguajnë qytetarët. Prandaj ndoshta ky është titulli i vërtetë i historisë sonë: “Dashuri në kohën e kolerës, në shtetin e Edi Ramës”, në një shtet ku pyetja nuk është më se kush dashuron kë, por kush kontrollon kë.







