Kryeministri Edi Rama, nga takimi me komunitetin shqiptar në Staten Island të New York-ut, komentoi edhe projektin turistik të Zvërnecit, që nxiti protestat në fund të muajit maj dhe që vazhdojnë kundër qeverisë së tij.
Rama, në fjalën e tij, deklaroi se projekti, që e cilësoi si të famshëm por edhe famëkeq, do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe për të mundësuar, sipas tij, turizmin elitar.
Rama shtoi se po punojnë edhe për të studiuar risqet reale, dhe jo ata, që sipas tij, prodhohen nga “sharlatanët dhe manipulatorët” nëpër rrjete sociale.
“Sot karakteristika e turizmit shqiptar është turisti me të ardhura mesatare dhe të ulëta, ndërkohë që ne na mungon turisti me të ardhura të larta, që përfaqëson atë që quhet turizmi i vlerës së lartë. Këtë synim ka edhe projekti i shumë diskutuar, projekti i famshëm, por edhe famëkeq, për fat të keq, si rezultat i shumë gënjeshtrave, manipulimeve, denigrimeve, politizimeve, projekti i Sazanit dhe projekti i Zvërnecit bashkë me të, një projekt që potencialisht sjell vetëm në Zvërnec më shumë se 4 miliardë euro. 4 miliardë euro në një ekonomi, që në totalin e vet është 27 miliardë euro. Juve i bëni vetë llogaritë më mirë.
Është një projekt i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Sigurisht që ne jemi shumë të vetëdijshëm që sa ç’është i jashtëzakonshëm në përmasa, sa ç’është i jashtëzakonshëm në ambicie, sa ç’është i jashtëzakonshëm në aspektin financiar, është jashtëzakonisht delikat edhe në aspektin e ekuilibrit me mjedisin dhe për këtë arsye, ne po punojmë shumë intensivisht për të pasur një studim të impaktit mjedisor të detajuar edhe profesional, të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe për të kuptuar ekzaktësisht cilat janë rreziqet reale dhe jo rreziqet që prodhohen orë e çast në rrjetet sociale nga lloj-lloj sharlatanësh dhe manipuluesish.”, tha Rama.







