Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, do të presë të enjten në Shtëpinë e Bardhë delegacione nga Rusia dhe Ukraina, një ditë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e nderoi me çmimin më të lartë të vendit për gratë.
Urdhri i Princeshës Olha, i Klasit të Parë, iu akordua Melania Trump për “kontributin e saj të rëndësishëm personal në mbështetjen humanitare për Ukrainën”, sipas dekretit presidencial.
Takimi vjen një ditë pas përfundimit të armëpushimit në rajonin jugor ukrainas të Khersonit, i cili mundësoi evakuimin e disa qindra personave nga qyteti i Oleshky-t, i pushtuar nga Rusia.
Delegacionet nga Kievi dhe Moska përbëhen nga Avokatët e Popullit, të cilët u përfshinë në misionin e evakuimit, si dhe nga zyrtarë të lartë.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Melania Trump kishte “nisur në mënyrë të pavarur kontaktet mes dy vendeve në luftë dhe kishte arritur me sukses sigurimin e një armëpushimi”.
“Kjo arritje përbën një nismë diplomatike të paprecedentë nga një Zonjë e Parë e SHBA-së”, thuhet në deklaratë.
Si pala ruse, ashtu edhe ajo ukrainase e kanë falënderuar vazhdimisht Melania Trump për ndërmjetësimin e armëpushimit, megjithëse asnjëra nuk ka dhënë hollësi mbi natyrën apo shkallën e përfshirjes së saj.
Në delegacionet që do të udhëtojnë të enjten drejt Shtëpisë së Bardhë do të jenë Avokati i Popullit i Ukrainës për të Drejtat e Njeriut, Dmytro Lubinets, homologja e tij ruse Yana Lantratova, deputeti ukrainas Davyd Arakhamia dhe zyrtari i lartë rus Kirill Dmitriev.
Lubinets dhe Lantratova udhëtuan së bashku drejt Oleshky-t javën e kaluar, në një shfaqje të pazakontë bashkëpunimi mes zyrtarëve rusë dhe ukrainas.
Arakhamia, deputet ukrainas që drejton grupin parlamentar të partisë së Zelensky-t, ka qenë më herët pjesë e ekipit negociator të Ukrainës gjatë bisedimeve të paqes me Rusinë.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga mediat ukrainase, ai ishte përgjegjës për kontaktet jozyrtare mes Shtëpisë së Bardhë dhe Moskës gjatë armëpushimit. Arakhamia ka konfirmuar se do të marrë pjesë në bisedimet e së enjtes.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se delegacioni rus do të përbëhet nga Lantratova dhe Kirill Dmitriev, një biznesmen rus me lidhje të afërta me Kremlinin, i cili ka marrë pjesë shpesh në bisedimet për armëpushim të ndërmjetësuara nga SHBA-ja.
Dmitriev dhe Arakhamia janë negociatorë me përvojë në bisedimet e nivelit të lartë për paqen. Megjithatë, është e pazakontë që takime me përfaqësues kaq të lartë të organizohen përmes një nisme të drejtuar nga një Zonjë e Parë e SHBA-së.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje se çfarë do të përfshijë takimi në Shtëpinë e Bardhë.
“Na presin takime të rëndësishme”, shkroi Lubinets në rrjetet sociale, teksa njoftoi se ishte nisur drejt SHBA-së.
Sipas faqes zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, të enjten në orën 11:00 (16:00 GMT), Melania Trump do të mbajë gjithashtu një deklaratë lidhur me armëpushimin në Oleshky.
Në dekretin e tij, Zelensky përmendi edhe angazhimin më të gjerë humanitar të Melania Trump, përfshirë përpjekjet e saj për fëmijët ukrainas të prekur nga lufta, si arsye për t’i akorduar asaj çmimin “Princesha Olha”.
Melania Trump ka mbajtur kryesisht një profil të ulët në çështjet e politikës së jashtme, por në vitin 2025 deklaroi se ishte krijuar një “kanal i hapur komunikimi” me presidentin rus Vladimir Putin, përmes të cilit synohej ribashkimi me familjet i fëmijëve ukrainas të zhvendosur nga lufta.
Në fillim të këtij viti, OKB-ja deklaroi se deportimi dhe transferimi i detyruar i fëmijëve ukrainas drejt Rusisë përbën krim kundër njerëzimit dhe krim lufte.
Sipas Ukrainës, që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia në vitin 2022, rreth 20 mijë fëmijë janë dërguar në mënyrë të paligjshme drejt Rusisë dhe Bjellorusisë.
Ndërkohë, përfaqësues rusë, ukrainas dhe amerikanë pritet të takohen edhe në Abu Dhabi javën e ardhshme. Ky do të jetë takimi i parë trepalësh që nga muaji shkurt.
I dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, tha të hënën se bisedimet do të përqendrohen te marrëveshjet e sigurisë pas luftës dhe ulja e tensioneve.







