Ballina Politika A e ka njoftuar Ambasada e SHBA, Sekretarin e Energjisë, se po...

A e ka njoftuar Ambasada e SHBA, Sekretarin e Energjisë, se po takonte një të akuzuar nga SPAK për korrupsion?

121
0

Në 31 Tetor, Prokuroria e Posaçme njoftoi se kishte marrë të pandehur zv.kryeministren dhe njëkohësisht Ministren e Energjisë, Belinda Balluku, për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, në lidhje me procedurën 190 milionë euro për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.

Një zhvillim i tillë, natyrisht, do të duhej të trondiste themelet e qeverisë në një vend normal dhe, më së paku, personi i akuzuar zyrtarisht, do të duhej të largohej nga detyra.

Por, Belinda Balluku, vetëm një javë më pas, u shfaq në një takim ndërkombëtar në Greqi, ku po diskutohej për çështjet rajonale të energjisë. Takimi drejtohej, as më pak e as më shumë, se sa nga Sekretari Amerikan i Energjisë, Charles Wright .

Ky ishte një pikë shumë domethënëse për momentin e vështirë në të cilën gjendet Belinda Ballukun. Ajo arriti të merrte një foto miqësore me Sekretarin Wright .

“Gjatë sesionit ministerial të ( P-TEC )nën drejtimin e Sekretarit amerikan të Energjisë, Chris Wright  u zhvilluan diskutime mes ministrave të Europës Qendrore dhe Jugore dhe përfaqësuesve të SHBA, si dhe qeverisë greke, mbi qëndrueshmërinë dhe pavarësinë energjitike, reduktimin e përdorimit të gazit rus, si dhe linjat e interkonjeksionit energjitik”, shkroi Balluku në rrjete sociale, shoqërua me foton.

Image

Është e qartë-fotoja është formale, ndërmjet pjesëmarrësve në këtë aktivitet. Por, duke marrë në konsideratë skrupolozitetin e administratës amerikane, e cila është shumë sqimëtare në përzgjedhjen e zyrtarëve ndërkombëtare që u krijojnë hapësirën për një foto ose një takim, pamja e buzëqeshur e Ballukut duke përshëndetur Sekretarin Wright  ngre disa pikëpyetje:

– A ishte njoftuar Sekretari Wright  se personi përballë tij ishte marrë zyrtarisht e akuzuar në vendin e saj për një aferë shumë të rëndë financiare?

– A e ka njoftuar Ambasada Amerikane në Tiranë eprorin e saj, Departamentin e Shtetit, dhe ky e fundit Sekretarin Wright  se në takim në Greqi ishte edhe një zyrtare e marrë e pandehur për një aferë shumë të rëndë financiare? Apo kanë qenë “pushim” këto kohë, për shkak të “Mbylljes së Shtetit” në Shtetet e Bashkuara?

– A e kanë “amnistuar” publikisht autoritetet amerikane, Belinda Ballukun, pavarësisht se ajo është marrë e pandehur nga SPAK, një strukturë hetimore, për të cilën Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar miliona dollarë fonde për ngritjen dhe funksionimin?

Natyrisht, mund të jenë pyetje shumë më të ndërlikuara, bazuar në një foto të thjeshtë. Por, historia politike shqiptare ka treguar se zyrtarët e lartë shqiptarë, sidomos në momente të vështira politike, kanë tentuar të shfrytëzojnë fotot me drejtues të lartë amerikanë, vetëm e vetëm për të treguar se kanë mbështetje ndërkombëtare.

Njëri u bë si “gruaja e Bilalit” për të pasur një foto në SHBA, një tjetër hoqi të zitë e ullirit për 5 vjet hetime vetëm për një foto në Shtëpinë e Bardhë.

Ndaj, falë këtyre historive, fotoja Balluku-Wright  nuk mund të konsiderohet edhe aq “genuine”./Boldnews