Murati thotë se nuk e inkriminon, sepse nëse do ta bënte një gjë të tillë do të inkriminonte dhe veten e tij, ndaj zgjodhi të fliste me nënkuptime.
“Për sa kohë është në arrati dhe flet për herë të parë, sigurisht që ka patur interes. Ka qenë një nga bashkëpunëtorët e afërt të Edi Ramës, ndaj ishte e pritshme gjithë ajo vëmendje. Ahmetaj bëri disa aluzione nda Ramës, nga pikëpamja politike dhe personale mbajti qëndrime të ashpra ndaj Ramës ku tha se i ka bërë një pritë politike, por nga pikëpamja juridike u përpoq të mos e inkriminonte Edi Ramën, duke folur me nënkuptime.
Në një farë mënyre, nëse të gjithë ata të prisnin të ishte i penduar, janë zhgënjyer, dhe ishte e pritshme që të mos e inkriminonte sepse do të inkriminonte veten e tij.
Ahmetaj është në kërkim për shumë vepra penale dhe kjo mund të konsiderohej si një përplasje e brendshme në piramidën e shtetit dhe pushtetit.
Në një moment, foli për dikë që ka përfituar 60 milionë euro, por dështoi të thoshte emra. Intervista nga pikëpamja e guximit personal, ishte e rrallë, por nga pikëpamja e interesit publik përmendi atë që dihet botërisht, se ai nuk ishte i vetmi përgjegjës në këtë çështje.
Përplasjet e brendshme kanë pak interes publik, ajo që ka interes publik është kush i ka vjedhur paratë e shqiptarëve dhe ku kanë shkuar këta para. I takon organeve të drejtësisë të hedhin dritë mbi këtë çështje.
SPAK ka çuar disa njerëz pas hekurave, kemi një hetim në proces, por ajo që është një bindje e përngjitmë është se shkon në majat e pushtetit dhe SPAK duhet të bëjë punën e saj.
Nuk ka një individ që të jetë sulmuar nga pikëpamja penale nga SPAK dhe të ketë pranuar akuzën. Të gjithë, Tahiri, Bllako, e së fundmi Ahmetaj, nuk e kanë pranuar. Ata që prisnin që Ahmetaj të shpallej i penduar, janë zhgënjyer. Këtë nuk mund ta bëjë përsa kohë është në arrati’, tha ai.
Murati foli dhe për punën e SPAK ku tha se ka lëvizur me dosjen e inceneratorëve, por duhet të bëjë më shumë që të arrijë te nivelet më të larta.
“SPAK ka lëvizur me dosjen e inceneratorëve dhe ka bërë një punë të mirë, por presim që të shkojë në nivele më të larta. Ajo që kërkohet nga Prokuroria është transparenca, që kanë dështuar ta bëjnë.
Nuk besoj se Ahmetaj do të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, sepse për të inkriminuar Ramën ose Veliajn, duhet të pranojë se është vetë i inkriminuar”, tha analisti.
Ndër të tjera ai u shpreh se “deklaratat e Ahmetajt do t’i hedhë benzinë revolucionit të opozitës”.







