Ballina Kronika Në kërkim për tritolin në Kamëz, kush është Ervis Lami? Lidhja e...

Në kërkim për tritolin në Kamëz, kush është Ervis Lami? Lidhja e tij me vrasjen e Lulzim Vishës dhe e shkuara kriminale

139
0

Ervis Lami është personi i shpallur në kërkim që së bashku me Jeton Lamin, Florin Domin dhe Flogert Mezhikën janë autorët e vendosjes së një sasi eksplozivi në një lokal në Kamzë një ditë më parë.

Por, Erivs Lami është një person me rekorde të theksuara kriminale. Ai u shpall në kërkim edhe në janar të këtij viti, pasi iu gjet automatiku me selenciator në banesë gjatë kontrolleve për kapjen e autorëve të vrasjes së Lulzim Vishës në Kamëz.

Policia e Tiranës ka zbardhur shpërthimin me tritol të vendosur një ditë më parë (15 nentor) në zonën e Kamzës në një lokal. Në pranga kanë rënë tre persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Në kuadër të operacionit të koduar “Motivi” u arrestuan Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mezhika. Ndërsa u shpall ne kerkim Ervis Lami.

Policia sqaron se nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit Saimir Sina.

Lidhja me vrasjen e Lulzim Vishes

Gjatë kontrolleve për kapjen e autorëve të vrasjes së Lulzim Vishës në 24 janar të këtij viti, policia gjeti në banesën e Ervis Lamit nje automatik me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e shtëpisë janë gjetur 4 gëzhoja armë.

“Arma e zjarrit, gëzhojat si dhe sendet e tjera të sekuestruara në banesë po dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme për të parë nëse kjo armë zjarri është përdor në ngjarje kriminale”, informoi policia ne ate kohe.

Raportohet se banesa ku u gjetën sendet e kundraligjshme është në posedim të Ervis Lamit dhe përdorej nga 31-vjeçari, si edhe kushëriri i tij, Eduart Lami.

Ervis Lami, gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Korçës në korrik 2014, ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë e organizimit të planit të arratisjes nga burgu i Drenovës i Admir Tafilit dhe 6 të dënuarve të tjerë me burgim të përjetshëm.

Ai është vetëfajësuar duke marrë mbi vete planifikimin dhe organizimin e arratisjes së 23 nëntorit të vitit 2013. Sipas tij, gjithçka e kishte zanafillën në kohën kur ai ishte bashkëvuajtës me Admir Tafilin, në Burgun 313. Fillimisht përfaqësuesi i akuzës ka bërë një kronologji të ngjarjes në atë kohë duke sqaruar se nga hetimet kishte rezultuar se në realizimin e arratisjes ishte vënë në dispozicion një shumë e konsiderueshme në euro nga Genc Tafili, vëllai i të akuzuarit për vrasje për hakmarrje.

Ai kishte kryer një transfertë në emër të Bledian Dedës dhe me këto para u blemë frigoriferët dhe armët në tregun e zi. Por, Ervis Lami, në gjyq, përjashtoi të akuzuarit e tjerë nga organizimi i planit. Sipas deklarimeve të Ervis Lamit, zanafilla e planit të arratisjes kishte nisur pas dënimit të Admir Tafilit dhe ai e kishte realizuar çdo lëvizje i vetëm, duke arritur të thyente kështu një prej institucioneve më të sigurta në vend.

Duke përshkruar me detaje të imtësishme, Ervis Lami ka rrëfyer çdo lëvizje që kishte kryer deri në zbatimin e planit të arratisjes nga i cili mundën të kapërcejnë rrethimin 7 të burgosur me dënime kapitale. Futja e armëve, sipas tij, ishte bërë me frigoriferë të cilët janë fabrikuar në Shkodër, ndërsa bomba e cila u hodh në afërsi të komisariatit ishte blerë në Korçë.

“Këta janë të gjithë shokët e mi, por nuk kishin lidhje me arratisjen. Unë kam qenë i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë dhe dua të sqaroj gjykatën se arratisjen e 23 nëntorit e realizova unë. Plani për këtë arratisje nisi në Burgun 313 kur unë dhe Tafili ishim bashkëvuajtës. Kur ai u dënua me pa të drejtë me burgim të përjetshëm, më erdhi vërtet keq dhe i premtova që do e ndihmoja të arratisej. E dija që ai është i pafajshëm ndaj dhe isha i vendosur për ta ndihmuar, aq më tepër kur i kisha dhënë fjalën. Organizuam planin, por armët në frigorifer janë montuar në një fabrikë në Shkodër. Mënyra si ato armë janë montuar brenda frigoriferit nuk mund të bëhen me dorë, por në fabrikë”, ka deklaruar Lami.

Ai vazhdoi më tej, duke rrëfyer se e kishte çuar frigoriferin në Burgun e Drenovës, me destinacion dhomën e të dënuarit të përjetshëm, Admir Tafili.