Një dëshmi tronditëse e vitit 1949 hedh dritë mbi një nga praktikat më të errëta të Sigurimit të Shtetit në periudhën e terrorit komunist: arrestimet pa shkak, torturat dhe vdekjet misterioze të qytetarëve të pafajshëm. Dokumentet arkivore zbulojnë lutjen e një nëne beratase, Makbule Nuri Mukavelati, e cila iu drejtua institucioneve më të larta të shtetit pas vrasjes së bashkëshortit të saj në hetuesi.
Makbule Mukavelati, nënë e tetë fëmijëve të mitur, u paraqit më 3 shkurt 1949 me një letër drejtuar Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë, Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe Komisionit të Revizionimit të Partisë. Ajo kërkonte vetëm një gjë: të dinte pse iu mor dhe pse vdiq burri i saj, Nuri Osman Mukavelati, pasi u arrestua natën e 17 shkurtit 1947 nga Sigurimi i Shtetit në Berat.
Sipas dëshmisë së saj, për një muaj rresht askush nuk i dha asnjë informacion, derisa — pa paralajmërim — në derën e saj mbërritën rrobat e burrit të zhytura në gjak, së bashku me lajmin se ai kishte vdekur në spital. Asaj nuk iu lejua ta shihte trupin, as ta merrte kufomën, as të kishte ndonjë sqarim për shkaqet e vërteta të vdekjes.
“Gjendja e teshave të gjakosura tregonte tmerrin e torturave që i ishin bërë burrit tim,” shkruante ajo në lutjen drejtuar autoriteteve, duke theksuar se ai nuk vuante nga asnjë sëmundje dhe se vdekja e papritur ishte e pashpjegueshme pa torturë.
Makbulja përmendte edhe emrat e dy oficerëve të Sigurimit të Beratit që sipas saj ishin përgjegjës: Strati Papa dhe Sulo Gradeci, të cilët në atë kohë vijonin detyrën në struktura të tjera të Ministrisë së Brendshme.
Në dhjetor të po atij viti, Sekretaria e Komitetit Qendror të Partisë së Punës i ktheu përgjigje. Në vend të hetimit, ndëshkimit të fajtorëve apo një akti drejtësie, përgjigjja ishte një justifikim burokratik, ku vdekja e Nuri Mukavelatit shpjegohej me një listë termash latinisht si:
“nphite, ascese, fredo, pleur soctale, deperimento organico, anemia…”.
Asnjë fjalë për torturat. Asnjë fjalë për heqjen e kufomës. Asnjë fjalë për përgjegjësinë e oficerëve.
Vetëm një formulë për të mbyllur dosjen — dhe dramën e një familjeje me 8 fëmijë që mbeti pa mbështetje.
Letra e Makbules është sot një dokument i rrallë që pasqyron realitetin e dhunës shtetërore në Shqipërinë e pasluftës dhe dëshminë e guximshme të një gruaje që kërkoi të vërtetën në një kohë kur askush nuk guxonte të fliste.

Teksti i plotë i letrës
3 shkurt 1949
MINISTRISE P BRENDSHME
KOMISIONIT TE REVIZIONIMIE P.P.SH.
PROKURORIS, GJYKATES SE LARTE USHATARAKE
Tirane
E nenshkruara Makbule Nuri Mukavelati nga lagjia Murat Celepi e Beratit parashtroj lutjen qe poshte vijon:
Organet e Sigurimit te Shtetit te Beratit ne mes naten e dates 17 te muajit Shkurt 1947 me kane marre burrin tem NURI OSMAN MUKAVELATI pa ditur shkakun dhe fajin qe kishte bere.
Mbasi marrjes se burrit dhe duke qene se kisha ne ngarkim 8 femije te vegjel qe pritshin kafshaten e bukes, interesohesha per gjendjen e Nuriut, por organet e Sigurimit nuk me jepnin asnje drejtim dhe as me premtonin lirimin e shpejt te tij duke me thene se eshte marre per pyetje dhe nuk kishte ndonje faj.
Mirepo mbasi nje muaji nga data e marrjes me dergohen teshat e burrit te mbytur ne gjak dhe njekohesisht me komunikojmne vdekjen ne Spitalin e Beratit. Gjendja e teshave te gjakosur tregojne tmerrin e torturave qe i ishin bere burrit dhe qe i shkaktuan vdekjen.
Ky fakt eshte i pamohueshem sepse burri im nuk ka qene i semure qe t’i shkaktohej nje vdekje e papritur dhe vecanerisht per te mos u zbuluar tmerret e torturave te i ishin bere burrit tim, nuk me eshte lejuar marrja e kufomes, dhe jo vetem kaq, por as qe u lejuam ta shihnim per heren e fundit.
Per hir te 8 familjeve qe kane mbetur ne meshiren e fatit te zi te tyre, lutem te shihet te mire te shqyrtohet kjo kerkese duke u sqaruar arsyet e marrjes dhe vdekjes se burrit tim Nuri Osmanit.
Ne kete rast parashtroj se si pergjegjes te Sigurimit te Shtetit ne Berat kane qene Oficeret Strati Papa dhe Sulo Gradeci, i pari me sherbim ne Peshkopi dhe tjetri prane Ministrise P Brendeshme.
Kam bindje te plote se nen frymen e Rezolucionit te XI te Vendimeve Historike te Kongresit te I-re te Partise Komuniste Shqiptare, ceshtja do te shqyryohet duke me dhene sqarimet e nevojshme.
⸻
Përgjigjja e Komitetit Qendror (origjinale):
Partija e Punes se Shqiperise
Sekretaria e KQ
27.12.1949
Zonjes
MAKBULE MUKAVELATI
Lagja Murat Celepi
B E R A T .
Në pergjegje te letres t’uaj drejtuar para disa kohe Komitetit Qendrore te P.P.SH, megjithse kjo ceshtje nuk i perket Komitetit Qendrore te Partise; mbasi u interesuam prane organeve kompetente rezulton se ceshtja e burrit t’uaj qendron keshtu:
Ay ka qene i arrestuar nga Seksioni i Sigurimit – Berat dhe ka vdekur ne spital nga semundja: “Nphite, ascese, fredo, pleur soctale deperimento organico, enemia dhe trochiyr ornika”./ vna







