Nga Auron Tare
Për aq sa vlen mendimi im modest për këtë çështje, do të thoja se, para së gjithash, gjetja artistike e fotografes Kambo ka arritur të gjenerojë debat mjaft interesant. Kjo, në vetvete, është e rëndësishme për një komunitet që ka ndjeshmëri ndaj kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Personalisht, nuk mendoj se imazhi i Mozaikut ka lidhje, apo ka dashur të krijojë ndonjë “provokim” të qëllimshëm në lidhje me ligjin e debatueshëm që kaloi së fundmi në parlament. Megjithatë, fakti që ka pasur një debat të zjarrtë mbi këtë mundësi në rrjetet sociale tregon se ideja artistike e ka arritur qëllimin: ka nxitur reflektim dhe diskutim publik.
Por këtu dua të shtjelloj pak më tej idenë time. Në çdo shoqëri ekzistojnë simbole, figura dhe vlera që respektohen, mbrohen dhe identifikohen si përfaqësuese të kulturës dhe historisë së saj. Këto simbole krijojnë një ndjeshmëri të veçantë kolektive, dhe për këtë arsye përdorimi i tyre kërkon përgjegjësi.
Mesazhi i rëndësishëm për luftën kundër kancerit të gjirit është i vlefshëm; megjithatë, përdorimi i një imazhi të identifikueshëm kulturor apo historik për ta përcjellë këtë mesazh mund të mos jetë qasja e duhur. Kjo është arsyeja pse kemi institucione kulturore që duhet të krijojnë një balancë ndërsjellë mes lirisë artistike dhe interesit të përgjithshëm të shoqërisë.
Fakti që një pjesë e publikut e ka perceptuar këtë instalacion si provokim tregon pikërisht nivelin e lartë të ndjeshmërisë ndaj simbolikës kulturore të përdorur.
Nga ana artistike, imazhi i vendosur mbi “Nënën Shqipëri”, ku paraqitet një grua që i ka mbijetuar sëmundjes dhe buzëqesh jetës, është padyshim interesant dhe i fuqishëm. Por lind një pyetje legjitime: nëse një artiste tjetër, po aq e talentuar, do të dëshironte të tërhiqte vëmendjen për shembull tek burrat që vuajnë nga kanceri i prostatës, dhe për këtë zgjidhte të përdorte figurën e Skënderbeut mbi kalë, çfarë do të thoshte Ministria jonë e Kulturës që ka mbështetur dhe financuar kete Projekt?







