Ballina Kronika Lul Berisha kërkoi ulje dënimi me 1.5 vite burg nga Amnistia. Gjykata:...

Lul Berisha kërkoi ulje dënimi me 1.5 vite burg nga Amnistia. Gjykata: Kjo është e papranueshme

60
0

Elton Qyno 

Gjykata e Durrësit ka rrëzuar një kërkesë të bërë nga Lulzim Berisha për uljen e dënimit me 1 vit e 5 muaj burgim, si pasojë e pretendimeve për “Përfitimin nga Amnistia” e vitit 2024. Vendimi është marrë më 5 maj 2026 nga gjyqtari Orgent Nezaj, i cili që nga muaji janar 2026 kishte marrë në shqyrtim një kërkesë të të dënuarit me 25 vite burg, Lulzim Berisha, për uljen e dënimit me 1 vit e 5 muaj burgim, si pasojë e përfitimit nga amnistia e vitit 2024.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se njëherësh, në objektin e kërkesës, Lulzim Berisha ka kërkuar dhe njohjen e ditëve të qëndrimit në paraburgim në Spanjë, që nga dita e arrestimit në këtë shtet, 14 dhjetor 2023, deri në ditën e ekstradimit në Shqipëri, 18 mars 2025.

Por në seancën e 5-të, të planifikuar me qëllim shqyrtimin e kërkesës së depozituar nga Lulzim Berisha, ky i fundit, por edhe avokati i tij mbrojtës, nuk janë paraqitur në gjykatë.

Mosparaqitja e Berishës në gjyqin e datës 5 maj përkon 4 ditë pasi në media (më datën 1 maj 2026) u publikua një video ku Lulzim Berisha, së bashku me Fehmi Mziun, Islam Kasa alias Mitralozi dhe persona të tjerë të dënuar, festonin dhe bënin video me telefona në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

Pas kësaj videoje, Lulzim Berisha dhe avokati i tij, Ilia Ilia, nuk janë paraqitur në gjykatë pa dhënë arsye dhe shkaqe justifikuese.

“…në seancën gjyqësore të datës 5 maj 2026, kërkuesi Lulzim Berisha nuk u paraqit në seancë, i cili kishte depozituar deklaratë mospjesëmarrjeje në gjykim, në të cilën deklaronte se do të përfaqësohej nga avokati i zgjedhur prej tij, Ilia Ilia, nga ku rezultoi se ky i fundit nuk u paraqit në gjykim edhe pse kishte dijeni, duke mos referuar shkak të justifikuar për gjykatën. Gjykata çmon të theksojë se kërkesa me objekt sa më sipër është e drejtë ekskluzive e palës kërkuese dhe përbën një kusht themelor për zhvillimin e gjykimit nga ana e gjykatës. Nëse nuk ekziston kjo kërkesë e tillë, gjykata nuk mund të investohet… Kur kërkuesi nuk paraqitet në seancë pa ndonjë shkak të arsyeshëm, megjithëse ka dijeni rregullisht për datën dhe orën e saj, heq dorë nga kërkesa ose ndryshon objektin e saj, gjykata e deklaron atë të papranueshme”, – thuhet në vendimin e Gjykatës së Durrësit.

Nisur nga kjo situatë, gjyqtari Orgent Nezaj ka vendosur deklarimin e papranueshëm të kërkesës me objekt “Përfitim nga Amnistia” dhe njohjen e ditëve të qëndrimit në burg gjatë kohës së arrestimit në Spanjë.

Lulzim Berisha është dënuar nga Gjykata e Lartë me 25 vite burgim për akuzën e kryerjes së disa vrasjeve në Durrës, të kryera këto në formën e grupit të strukturuar kriminal që vepronte në Durrës.

Pjesën më të madhe të këtij dënimi ai e ka kryer. Por një tjetër proces penal kundër Berishës vijon të jetë i hapur në SPAK dhe lidhet me dyshimet për pjesëmarrjen e tij në vrasjen e Klodian Saliut në muajin shkurt 2005.

Në këtë proces, Lulzim Berisha është bashkë i pandehur me mikun e tij të vjetër, Plaurent Dervishaj, Emiljano Shullazin, Luftar Rreçin, Indrit Taullain, Indrit Rusin dhe Viktor Imerin e Vlorës./ Syri