Shoqata e Gazetarëve Europianë zhvilloi asamblenë e saj vjetore ndërkombëtare në qytetin simbol të Europës, në Bruksel. Delegatët e gjithë degëve të Shoqatës zhvilluan edhe zgjedhjet, ku u rikonfirmua me 90% të votave gazetari shqiptar Arbër Hitaj, për herë të dytë në krye të një prej shoqatave më të vjetra në Europë.
Hitaj, në fjalën e tij, falënderoi pjesëmarrësit për mbështetjen e dhënë, duke u angazhuar për vëmendje të madhe ndaj forcimit të lirisë së medias, luftë pa kompromis ndaj lajmeve të rreme dhe sulmeve ndaj gazetarëve.
Ai theksoi se megjithëse Europa nuk po kalon periudhën e saj më të mirë për sa i përket lirisë së medias, ajo mbetet modeli më i qëndrueshëm dhe më i respektuar për mbrojtjen e gazetarëve.
Hapja e seksioneve të reja në Europën Veriore dhe pjesë të tjera të kontinentit janë prioritete të tjera që presidenti Hitaj i paraqiti para delegatëve nga seksionet e ndryshme të AEJ.
Në këtë takim të rëndësishëm u zgjodhën edhe anëtarët e tjerë të trupës drejtuese: 3 zëvendëspresidentë nga Spanja, Austria dhe Bullgaria.







