Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se fatura për largimet e padrejta të punonjësve të administratës nga puna ishte 14 milionë euro në vitin 2024. Kjo kosto që do të paguhet nga buxheti i shtetit, mbulon të gjithë ata punonjës që kanë fituar në gjyq përballë institucioneve shtetërore. Nga ana tjetër Kuvendi i ka kërkuar Departamentit të Administratës Publike të bëjë një analizë për këtë problematikë.
Largimet e padrejta nga puna po i kushtojnë miliona euro buxhetit të shtetit, ndërsa fatura po rritet nga viti në vit. Vetëm në vitin 2024 thotë KLSH, dëmi që shteti detyrohet të paguajë pasi punonjësit kanë fituar gjyqet përballë institucioneve arriti në 14 milionë euro.
Ndërsa për vitin 2025 kjo faturë deri në shtator referuar shifrave të fundit të Ministrisë së Financave ishte edhe më e lartë, pasi përllogaritet në 1.9 miliardë lekë ose gati 19 milionë euro.
Më problematik në shkarkimet e punonjësve janë institucionet qendrore, ku kryeson Ministria e Infrastrukturës. Deri në fund të shtatorit të këtij viti rezulton se detyrimet për ‘vendime gjyqësore’ të kësaj ministrie arrijnë në 7.7 milionë euro, ndjekur nga Ministria e Brendshme me 5.4 milionë euro dhe Ministria e Shëndetësisë me 1.9 milionë euro. Te pushteti vendor, largimet më të padrejta regjistrohen në Bashkitë Pogradec, Kavajë dhe Berat.
Duke marrë shkas nga ky fenomen problematik, ku çdo vit miliona euro shpenzohen për të dëmshpërblyer nëpunësit e hequr padrejtësisht nga puna, Kuvendi i kërkon Departamentit të Administratës Publike që të bëjë një analizë mbi institucionet për masat disiplinore.
“Të rrisë angazhimin në drejtim të rikthimit në detyrë të nëpunësve civilë gjyq fitues, me qëllim rritjen e nivelit të zbatimit të vendimeve gjyqësore. Të përgatisë një analizë për ecurinë e proceseve gjyqësore të kthimit në detyrë të nëpunësve civilë, problematikat e konstatuara, përgjegjësinë e strukturave përgjegjëse në dhënien e masave disiplinore dhe ndjekjen e tyre në proceset gjyqësore dhe përcaktimin e masave përkatëse në këtë fushë”, thuhet në rezolutën e Kuvendit.
Në gjashtë detyrat që i lihen DAP-it për të zbatuar deri në mbyllje të këtij viti, i kërkohet gjithashtu që të ngrejë një sistem të avancuar të monitorimit dhe vlerësimit të performancës së punonjësve të administratës publike mbi baza të matshme dhe transparente, që të përdoret edhe për identifikimin e nevojave për trajnime shtesë.
DËMI PËR LARGIMET E PADREJTA NGA PUNA
Viti 2024 14 mln euro
Shtator 2025 19 mln euro
Diferenca +5 mln euro
LARGIMET NGA PUNA SIPAS INSTITUCIONEVE
Ministria e Infrastrukturës 7.7 mln euro
Ministria e Brendshme 5.4 mln euro
Ministria e Shëndetësisë 1.9 mln euro
Bashkia Pogradec 663 mijë euro
Bashkia Kavajë 354 mijë euro
Bashkia Berat 321 mijë euro







