Frederik Rreshpja ishte poet lirik, eseist, publicist dhe botues shqiptar. Penda e tij është ndër më përfaqësueset të vargut shqip.
Rreshpja u lind në Shkodër më 1940 në një familje me origjinë nga Dukagjini. Në vendlindje kreu shkollimin fillor dhe të mesëm pranë gjimnazit “29 nëntori”, studimet universitare i ndoqi pranë Pedagogjikut në Tiranë me korrespondencë. Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi “Rapsodi shqiptare”.
Më 1975 vepra e tij hiqet nga qarkullimi me urdhrin e një qarkoreje të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës firmosur nga zv/ministri Mantho Bala. Arrestohet dhe dënohet “…si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor…”. Frederik Rreshpja u burgos dhe vuajti 17 vjet burg. Poezia “Topi fushor” hyn në antologjinë më të rëndësishme zyrtare të kohës pa botuar ende ndonjë përmbledhje. Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi “Rapsodi shqiptare” – pas një viti u arrestua sërish.
Botimet dhe shkrimet ndër të përkohshmet e kohës u pritën mirë nga kritika, por kjo gjë nuk zgjati për shumë kohë.
Më 25 nëntor 1992, Rreshpja jep një intervistë për gazetën “Zëri i Rinisë” dhe pyetjes se çfarë e gëzon dhe trishton më shumë në jetë, i përgjigjet: “Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë… Kur trishtohem, shkruaj. Prandaj shkruaj shumë”. Vetmi e trishtim poetik ky që do thuktohej në vëllimin poetik që do të vinte.
NË LIRI
Pasi doli nga burgu, botoi vëllimet “Erdhi ora të vdes përsëri” – 1994, “Lirika të zgjedhura” – 1996, përmbledhje kjo që u shpall më e mira për vitin përkatës, si dhe vëllimin me poezi “Në vetmi” që u botua në vitin 2004, i cili i solli titullin – “poet i vitit 2004”. Ai ishte kryeredaktor i gazetës “Ora”, udhëheqës i një shtypshkronje dhe pronar i Shtëpisë Botuese “Evropa”.
Përfshihet në vëllimin “Historia e Letërsisë Shqiptare” e Robert Elsie-t të 2003. Përfaqësohet me disa poezi në “Antologji e poezisë shqiptare” të Aleksandër Zotos (1998) dhe në “Antologjinë e poezisë shqipe”.
Frederik Rreshpja jetonte në Tiranë, i vetëm, sepse nuk ishte i martuar. Vdiq më 17 shkurt 2006 në Shkodër, nga një sëmundje e zemrës, i rrethuar nga vëllëzërit dhe familja e gjerë dhe u varros më 18 shkurt, në varrezat “Rrëmaj” të kishës katolike në Shkodër. Vetëm 66 vjeç me jetën e një bohemi, Reshpja do të largohej përgjithmonë nga jeta duke lënë pas vargjet. Kur ishte gjallë, pak ishin ata që besuan në gjenialitetin e tij.
Midis poetit dhe njeriut, ky i fundit shfaqej i lodhur dhe shpesh pesimist mbi raportet e tij me mbijetesën. Më lehtë komunikonte me natyrën, shiun që binte ngadalë mbi Gjuhadol mbrëmjeve, hënën që shfaqej mbi çatinë e shtëpisë së vjetër, se me njerëzit. Me ta gjuha e zemrës shpesh i sillte probleme.
“Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka/ dhe të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjes/ të më ndjekë mallkimi i artit/ Mos e pastë njeri këtë fat! Por kur të vdes portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe/ se unë kam pasur miqësi me çdo dru/Në stinën ku bien gjethet/ do të bien edhe sytë e mi/ Tani e tutje shirat do jenë lotët e mi/ Mos e pastë njeri këtë fat…”
Në shkurtin e vitit 2006 në dhomën ku ndante jetën në vetmi Frederik Reshpja hidhte këto vargje si një “Testament”./ ObserverKult







