Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare aktori i njohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, një prej figurave më të dashura dhe më të spikatura të artit skenik në vend.
Hasko njihej për interpretimet e tij karakteristike, veçanërisht në role komike dhe popullore, ku solli në ekran dhe skenë figura të paharrueshme të kinemasë shqiptare. Gjatë karrierës së tij ai ka marrë pjesë në mbi 30 filma dhe ka lënë gjurmë të rëndësishme në teatrin shqiptar.
Ai u bë i njohur për publikun me role si Milo në filmin “Shi në plazh”, Tosun Baçi në “Njeriu me top”, tellalli në “Koncert në vitin 1936”, si dhe plaku i sertë në “Përrallë nga e kaluara”. Debutimin në kinematografi e bëri në vitin 1971 me filmin “Kur zbardhi një ditë”, ku interpretoi rolin e një ballisti.
I lindur në Dukat të Vlorës më 15 mars 1942, Hasko përfundoi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga” në vitin 1961. Për disa vite punoi si mësues dhe drejtor shkolle në zona të ndryshme të jugut të vendit, përpara se t’i përkushtohej artit.
Në vitet 1965–1969 ai studioi për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Pas diplomimit, nisi karrierën akademike si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe më vonë shërbeu si dekan i Fakultetit të Artit Skenik (1989–1994).
Në teatër, ai interpretoi në vepra të njohura si “Shi në plazh”, “Shtëpia me dy porta” dhe “Familja e peshkatarit”, duke u dalluar për stilin e tij origjinal interpretues dhe ndërtimin e karaktereve me ngjyrë popullore.
Gjatë karrierës së tij artistike, Birçe Hasko ka realizuar dhjetëra role filmike, mes të cilëve edhe në “Radiostacioni”, “Dhe vjen një ditë”, “Shkëlqim i përkohshëm” dhe “I dashur armik”. Për rolin në “Shkëlqim i përkohshëm” ai është vlerësuar edhe me Çmimin e Dytë në Festivalin e Filmit.
Për kontributin e tij të gjerë në art dhe arsim, ai është nderuar me titujt “Artist i Merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh”, duke u renditur ndër emrat më të rëndësishëm të skenës shqiptare.
Arti shqiptar humbi sot një prej aktorëve më përfaqësues të tij, ndërsa trashëgimia e tij artistike mbetet pjesë e historisë së kinematografisë shqiptare.







