Akademia e Shkencave përkujtoi akademikun Alfred Uçi, një nga figurat më përfaqësuese të filozofisë, estetikës dhe mendimit kulturor shqiptar, i ndarë nga jeta 10 vjet më parë, më 26 tetor 2016.
Alfred Uçi lindi në Korçë, më 12 dhjetor 1930. Në moshë të re mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Studimet e larta për filozofi i kreu në Universitetin “Lomonosov” të Moskës. Pas kthimit në Shqipëri, për një periudhë të gjatë ishte pedagog i filozofisë dhe estetikës në Universitetin e Tiranës, duke kontribuar në formimin e brezave të studiuesve, pedagogëve dhe intelektualëve shqiptarë.
Akad. Alfred Uçi iu kushtua që herët studimit të trashëgimisë së mendimit filozofik shqiptar, duke zhvilluar kërkime mbi figura të rëndësishme të kulturës kombëtare, ndër të cilat Jani Vreto dhe Teodor Anastas Kavalioti. Kontributi i tij u shtri në fushat e estetikës, filozofisë së kulturës, historisë së ideve, teorisë së artit dhe studimeve identitare, duke u bërë një nga themeluesit e shkollës shqiptare të studimeve estetike.
Në vitet 1979–1986 drejtoi Institutin e Kulturës Popullore, duke qenë njëherazi kryeredaktor i revistës “Kultura Popullore” dhe i një sërë botimesh shkencore të këtij institucioni. Më pas, në vitet 1987-1990, ushtroi detyrën e kryetarit të Komitetit të Kulturës dhe Arteve dhe të ministrit të Kulturës. Pas kësaj periudhe iu përkushtua tërësisht punës kërkimore-shkencore dhe botuese.
Veprimtaria e tij shkencore përfshin një numër të madh studimesh dhe veprash në fushën e estetikës, kulturës, folklorit, mitologjisë dhe letërsisë. Ndër veprat më të njohura të tij janë “Estetika, jeta, arti”, “Probleme të estetikës”, “Mitologjia, folklori, letërsia”, “Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës”, “Shekspiri në botën shqiptare”, “Estetika në letërsinë shqipe”, “Filozofia e Teodor Anastas Kavaliotit” dhe “Estetika e folklorit”. Këto vepra përbëjnë një fond të rëndësishëm të mendimit teorik shqiptar dhe vijojnë të mbeten referenca për studiuesit e shkencave humane.
Si profesor, akademik dhe autor i dhjetëra botimeve, Alfred Uçi dha një kontribut të shquar në zhvillimin e filozofisë, estetikës dhe kulturës shqiptare.







