Bulevard news*
Besnik Psatha është një nga sportistët më në zë të ekipit “Lokomotiva” i cili i solli Durrësit disa trofe së bashku me të tjerë peshëngritës. Karriera e tij e pasur si sportist dhe trajner është e mbushur me ngjarje, ndodhi dhe mbresa interesante të cilat dëshmojnë për vlerat dhe rezultatet e ekipit të peshëngritjes së Durrësit. Psatha pasi rrëmbeu një nga një vendin e parë në kampionatin kombëtar të peshëngritjes si sportist, e vazdhoi suksesin edhe si trajner duke përgatitur sportistë të nivelit evropian. Është i pari trajner që ka përgatitur sportiste femra me të cilat edhe ka fituar disa kampionate kombëtare. Psathi mbajti gjallë sportin e peshëngritjes në ditët më të vështira të eksodit masiv të të rinjve. Një listë e gjatë me sportistë dhe rekordmen janë fryt i punës dhe përpjekjeve të tij si trajner.
Pasioni për sportin
Dëshira për t’u marrë me sport e përfshiu të riun Besnik Psatha në vorbullën e bashkëmoshatarëve që merreshin me një sërë aktivitetesh si me futboll, gjimnastikë, mundje, not e të tjera sporte. Forma e rregullt fizike i dhanë mundësi të këmbëngulte për t’u bërë dikushi në sport. Si në shoqëri edhe në shkollë binte në sy paraqitja e rregullt fizike, uniformiteti dhe tiparet e sportistit, ndaj edhe e nxisnin të mos i shqitet sportit. U paraqit tek ekipi i gjimnastikës, por për shkak të moshës së rritur, 17-vjeçari u orientua t’i shtrohej peshëngritjes dhe kështu ndodhi. Jani Llazo, asokohe trajner peshngritje, e ftoi të riun dhe e përfshiu mes nxënësve dhe të rriturve peshëngritës. Palestra ishte tek stadiumi, në një vend poshtë tribunës, atje ku do të qëndrojë deri vonë. Trajneri Llazo do të ishte i kënaqur me ecurinë e Psathës ngase i riu manifestonte dëshirë, këmbëngulje dhe disiplinë tregues të rëndësishëm për një sportist. Peshëngritja në Durrës kishte krijuar traditë të mirë pasi nga rradhët e saj kishte nxjerrë emra të mëdhenj dhe kampion kombëtar si Fatmir Shyti, Përparim Mustafaj, Qamil Qato. Për shkak të moshës Psatha u regjistruar tek të rinjtë dhe bashkë me shokun e tij Lulzim Gjini iu vunë punës me stërvitje të gjata, para e pasdite, me dhe pa orar, në çdo ditë të javës të bindur se do të arrinin synimin. Trajneri Jani Llazo kishte dy ekipe, njëri me të rinjtë nga 13 vjeç deri në 20 vjeç dhe të rriturit të moshës mbi 21 vjeç. Psatha kujton se interesimi për sportin e peshëngritjes ishte shumë i mirë dhe se tek ekipi i tij i të rinjve kishte 30 peshëngritës të peshave dhe moshave të ndryshme. Konkurenca e bënte edhe më interesante dhe të “ashpër” garën pasi për të njëjtën peshë kishte 4-5 sportistë të cilët duhej të rivalizonin fillimisht brenda ekipi për të shkuar më pas në takimin kombëtar. Garat e para Besnik Psatha i nis në peshën 40 kilogram. Falë kurajos dhe sakrificave jo të vogla, ngase të riut i duhej të punonte gjithë ditën dhe më pas të stërvitej, vjen fitorja e parë. Psatha ngre 80 kg shkëputje dhe 90 kg shtytje me një peshë trupore 59 kg duke zënë vendin e parë në kampionatin kombëtar të peshëngritjes. Psatha ka thënë se meritë të veçantë në suksesin e tij ka trajneri Llazo. Duke qenë vet sportist Llazo i kishte shumë të qarta gjithçka që programonte. Rreptësia, korrektësia, pasioni dhe fryma bashkëpunimit bënë që në palestrën e tij të përgatiste mjeshtra sporti, rekordmen dhe figura të rëndësishme në sport. Zotësia, kujdesi dhe maturia e tij janë tipare që janë ngulitur në ndërgjegjen e të rinjve dhe të të rriturve të peshëngritjes. Psatha disa vite më vonë do të bëhet vet trajner dhe në profesionin e tij do të harmonizojë kulturën e fituar si sportist me karrierën e mësuesit dhe trajnerit Llazo, emrin e të cilit e kujton me respekt të veçantë.
Sukseset e sportistit Psatha
Me të fituar vendin e parë si peshëngritës me të rinjtë, të tjera kërkesa nisin të trokasin për Psathën. Për shkak të treguesve të mirë dhe rezultateve befasuese trajneri vendosi ta kalonte me të rriturit edhe pse i duhej edhe dy vite për të kapur moshën në ballafaqime të tilla. Një vit e gjysëm pasi ishte bërë pjesë e ekipit të të rinjve tek “Lokomotiva”, nisi të tërhiqte vëmendjen e trajnerëve dhe analistëve të sportit. Psatha asokohe po ecte shumë mirë dhe treguesit e tij në rritje e vendosën në epiqendër të kërkesës për ta kaluar me të rriturit. Pas Llazos, trajner i ekipit u zgjodh Spiro Muzho i cili do të qëndrojë për dy vite në krye të peshëngritësve të “Lokomotivës”. Pikërisht në moshën 19-vjeçare Besnik Psatha bëhet edhe kampion kombëtar tek të rriturit duke hapur perspektivën. Nga këtu nisin edhe përpjekjet për të kapërcyer rekordet kombëtare. Peshngritësi do të kapë edhe normën për titullin “Mjeshtër sporti” ngase në kampionatin kombëtar të vitit 1987, ndërsa kishte peshë trupore 67 kg, arriti të ngrejë 120 kg në shkëputje dhe 140 kg në shtytje. Pas Muzhës trajner tek peshëngritësit e “Lokomotivës” do të vinte Mjeshtri i sportit Fatmir Shyti, emri të cilit ishte renditur ndër më të mirët e kampionatit kombatër shqiptar në vite. Shyti ishte edhe kampion, edhe rekordmen dhe ambiciet e tij për ekipin u sinkronizuan me vullnetin e djemve të rritur. Ekipi i Durrësit merrte pjesë çdo vit në kampionat kombëtar me përfaqësim prej 13-14 ekipesh nga e gjithë Shqipëria. Garat në ato vite zhvilloheshin tre ditë rradhazi dhe lufta për të kapur vendin e parë ishte shumë sfiduese. “Lokomotiva” gjatë gjithë viteve qëndronte në treshen e kreut të kapionatit duke rivalëzuar me ekipe dhe individë shumë cilësorë në këtë sport.Tirana (“17 Nëntori”), Dinamo, Partizani, Studenti, Shkodra (“Vllaznia”), Korça…e kishin shumë të vështirë përballjen me durrsakët dhe djemtë e Shytit i cili kishte krijuar në ekip frymën e kolektivitetit dhe të garës së fortë sportive. Durrësi kishte gjashtë shtangistë kryesorë në takime kombëtar si: Erlin Nikolla, Arben Kokomani, Besnik Psatha, Ferit Skënderi, Alber Çerma, Edmond Nërënza. Ekipi Shytit fitoi edhe kupën në vitin 1987, vit që cilësohet shumë i suksesshëm nga Psatha. Në të gjitha garat Durrësi kishte 8 sportistë nga pesha e parë 52 kg deri në peshën e tetë me plus 110 kg (peshë e vet sportistit). Besnik Psatha tek të rriturit përgjithësisht ka qëndruar tek pesha e katër dhe i është dashur shumë përgatitje dhe shpirt gare për të mbijetuar në kreun e kampionantit. Pesha e tij prej 67 kg kishte 6 rekordmen të cilët Psatha mundi jo vetëm t’i rivalizojë, por edhe t’u rrëmbejë trofeun. Emrat e peshëngritësve si Ymer Pampuri i ekipit “17 Nëntori”, Aleksandër Loli tek “Studenti” apo Mihal Hoço i Beratit kishin krijuar mitin e të pathyeshmëve, ndaj Psathës i është dashur kurajo e madhe për t’u përballur me këta sportistë. Në kutjimet e tij, Psatha veçon gëzimin e madh teksa kaloi Pampurin e Tiranës në stilin e shkëputjes. Kampionati zhvillohej gjithandej, sipas shortit, kështu që peshëngritësit e Durrësit njiheshin me emër në shumë qytete.
Psatha trajner
Me të mbyllur karrierën si peshëngritës në moshën 28-vjeçare, Psatha iu kthye përgatitjes së brezave në të njëjtin sport me të cilin kishte fituar shumë vende të para në kampionatin kombëtar. Në vitin 1988 merr për herë të parë në dorë ekipin që quhej “Pionieri” dhe që sot njihet me emërtimin “U-17” Shkollat zhvillonin gara mes tyre në mënyrë të përvitshme ngase në program mësimor kishte orë të planifikuara për shumë sporte, ndërkohë që shkollat kishim marrë orientime për sportin e ushtruar me talente. Ekipi me fëmijë të kësaj moshe kishte 24-30 sportistë. Të gjithë ishin nxënës shkolle dhe të bindur t’i nënshtroheshin regjimit sportiv. Dy vite më pas, më 1990 kalon nga të rinjtë tek të rriturit e “Lokomotivës”, ekip që më pas do të njihej me emërtimin “Teuta”. Fatmir Shyti emigroi ndaj Psathës iu besua të vazdhonte traditën e përgatitjes së peshëngritësve. Kreshnik Leka e Klodian Shahini do të vazdhonin të thyenin rekorde si sportistë, ndërsa ekipi nuk binte nën vendin e tretë në kampionat. Durrsakët e peshngritjes, futbollit, volejbollit, mundjes dhe çiklizmit “gllabëroheshin” nga Tirana e cila kishte katër epike. Të rinjtë sportistë të qytetit bregdetar përgjithësisht e kanë kryer shërbimin ushtarak në Tiranë dhe janë bërë pjesë e ekipit“Partizani” , kurse studentët e Fizkulturës “Vojo Kushi” tek “Studenti” për t’i lënë më pas “17 Nëntorit” studentët në fakultetet e tjera. Megjithatë Durrësi prodhonte vazdhimisht, rifreskonte e mbulonte boshllëqet e krijuara duke nxjerrë rekordmen të tjerë.Sporti shqiptar në vitet 1990 ka kaluar periudhë të vështirë. Në këtë periudhë Durrësi përjetoi “hemoragjinë” e madhe. Psatha në cilësinë e trajnerit është detyruar të bëjë të gjithë përpjekjet për të mbijetuar sporti peshëngritjes ngase titullarë, sportistë në zë, ikën, emigruan. Pavarësisht kësaj situate të vështirë, “Teuta” në vitin 1995 shpallet fituese e kampionatit kombëtar në peshëngritje. Psatha ka thënë se këtë trofe për ekipin e të rriturve e ka fituar duke nxjerrë në garë të rinjtë që sfiduan në peshat e të rriturve, ndodhi e rrallë në sport. E gjithë kjo në saj të punës së kujdesshme, sistematike dhe të vullnetshme të trajnerit dhe vet ekipit me të rinj pasionantë. Eksodet e kanë goditur disa herë peshëngritjen. Pasi “Teuta” shpallet kampine e Shqipërisë, një valë tjetër e të rinjve ikin përtej Adriatikut për t’ia lënë “duart thatë” trajnerit me të cilin ndanë shumë gëzime. Psatha edhe në këtë rast ka kapërcyer situatën duke e ringritur nga e para ekipin, ndërsa ka ndjekur me shumë admirim ecurinë e djemve të ikur jashtë vendi. Pikërisht për shkak të rezultateve të ekipit “Teuta” kreu bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i afron mundësinë për të stërvitur ekipin në një nga sallat brenda pallatit të sportit “Ramazan Njala”. Për disa vite me radhë Psatha ishte detyruar të kryejë stërvitjet në mjediset e palestrës së tij të cilën e ka kompletuar me të gjitha paisjet, mjetet dhe infrastrukturën e domosdoshme. Sapo bashkia i krijoi mundësinë e parë, Psatha mori me vete të gjithë paisjet e palestrës të blera nga vet ai, për t’i vënë në shërbim të ekipit. Më shumë se 20 mijë euro ka qenë investimi për të blerë paisjet e domosdoshme në ngritjen e palestrës. Një shtangë kushton 3 mijë euro, ndërsa Psatha ka blerë tre të tilla. të kushtueshme janë edhe petadat, suna, pista e vrapit dhe paisjet e tjera. E gjithë palestra vetjake e trajnerit Besnik Psatha është transferuar për në mjediset e pallatit të sportit, atje ku bëjnë stërvitje peshëngritësit e ekipit “Teuta”. Rezultatet kanë ndjekur ekipin njëra pas tjetrës. Në vitin 2010 ekipi shpallet kampion për të rinj në kampionatin e zhvilluar në Korçë. Gjatë vitit 2011 përsëritet e njëjta gjë, si dhe një vit më parë, në Elbasan. Kalendari i viteve 2009-2011 i sjell ekipit të peshëngritjes “Teuta” vendin e tretë për të rritur, kurse në vitin 2012, 2013 në vendin e dytë po për të rritur. Sot trajneri ka në ekip peshëngritës djem nga mosha 10 vjeç e lart të cilët i përgatit në mënyrë sistematike. Psatha është shumë i kënaqur me të rinjtë e të rriturit e ekipit. E ka të vëshirë të dallojë se cili është në nivelet më të larta pasi secili prej tyre e ka marrë shumë seriozisht çdo këshillë të trajnerit. Ai ka shpresuar dhe besuar shumë tek rezultatet e sportistëve: Bruno Nuho, Ardian Murataj, Admir Smoqi, Jetmir Hoxha, Sopot Sula, Jurgen Hoxha, Klaudio Çela, Sulejman Tabaku, Serjan Tuda, Mariglen Rrusha, Arbër Hoxha, Daniel Korçari, Agim Nezha, Kol Hajdarkolaj, Reshat Nazëraj, Ehad Salimuçaj dhe Orges Çerma. Trajneri teksa ka renditur një nga një emrat shpreson të ketë qenë e saktë dhe të mos ketë lënë emrat e sportistëve cilësorë pa përmendur. Shtysë në arritjen e rezultateve për trajnerin dhe ekipin dha edhe trajneri i të rinjve Kreshnik Leka. Për disa vite ai iu përkushtua me shumë seriozitet sportit, ndërsa sporti e ka ndjekur Lekën hap pas hapi pasi ai është profesor në shkollën e Mjeshtërisë sportive në Durrës. Emërimi i tij në krye të klubit shumësportësh “Teuta” në Durrës ka ngjallur shumë besim ngase Leka ka qenë sportist cilësor, kampion dhe rekordmen, ndërsa mbetet tërësisht i dhënë pas sportit. Fakti që e njeh mirë sportin ekipi “Teuta” i të gjitha sporteve synon të kapë një nga një vendet e para, trofetë dhe medaljet në takime kombëtare për të vijuar më pas në përballjet evropiane. Pas viteve 1990, me hapjen e Shqipërisë, trajneri Besnik Psathi ka bërë disa ballafaqime ekipore jashtë vendi. Pasi mati forcat dhe fitoi përvojë nga sporti peshëngritjes në garat e vitit 1995, 1996 në Greqi me 3-4 sportistë, provoi të matet me më të mirët në Itali në vitin 2002. Garat ishin në kuadër të takimeve miqësore në të cilat “Teuta” u prezantua me sportistët Erkan Qerimi, Ejona Kaltani dhe Klodian Shahini. Edhe në Beograd në vitin 2010 së bashku me trajnerin Bashkim Nikolla kanë marrë pjesë me një peshëngritëse dhe dy djem peshëngritës. Psatha ka përgatitur edhe sportistëtë nivelit evropian si Daniell Godelli i cili doli në vendin e tretë në kampionatin botëror të zhvilluar në Bullgari të zhvilluar në qeeshor të vitit 2010. Godelli konkuroi në peshën 69 kg dhe së bashku me të njëjtin eveniment botëror kanë qenë edhe dy sportistë të tjerë. Psatha për shkak të seriozitetit dhe rezultateve të nivelit kombëtar në vitin 2002 është zgjedhur në kryesinë e federatës kombëtare të peshëngritjes.
Psatha dhe vajzat peshëngritëse
Emri i peshëngritësit Besnik Psatha ka zënë vende kyçe në disa faqe gazetash, kryesisht sportive, në edicione televizive sportive dhe në analiza sportive të zhvilluara nga federata e sportit. Ndërsa kishte bërë emër shumë të mirë si sportist dhe trajner me të rinj e të rritur tek “Teuta”, emri i tij lakohet sidimos në kohën kur Psatha vendos të krijojë ekipin e vajzave peshëngritëse. Në vitin 2002 trajneri pati rastin e parë të përballjes me dëshirën e një vajze e cila donte t’i përkushtohej peshëngritjes. Eljona Kaltani në atë vit ishte nxënëse në vitin e parë të shkollës së mesme të Mjeshtërisë sportive “Benardina Qeraxhiu” në Durrës. Pesha trupore e saj qe 58 kg. Vullnetin e vajzës e përmbush i ati, Ismaili, punonjës policie në Durrës i cili bindi trajnerin Psatha të përgatiste Kaltanin, sportiste me perspektive. Prindi ishte pasionant i sportit ndaj edhe vendos t’ia përmbush kërkesat së bijës. Pas saj shfaqën interesim një nga një edhe vajza të tjera të cilat kishin pritur rastin që dikush nga vajzat të çante dhe të thyente e para akullin. Dardana Murati nga Shijaku edhe ajo nxënëse iu bashkëngjit stërvitjes itensive nën drejtimin e trajnerit Besnik Psatha. Të dyja vajzat më pas thyen rekorde kombëtare në shkëputje e shtytje. Teksa i kthehet mbresave të atyre viteve, trajneri dëshmon korrektesën dhe seriozitetin e vajzave të cilat ecën shumë mirë. Nuk ishin vetëm të rriturat që shfaqnin interesim për peshëngritjen. Psatha ka stërvitur edhe 10-vjeçaren Nadmira Voci nga Koxhasi i Shijakut dhe Blerina Rusi nxënëse e klasës së shtatë, një tjetër vajza e përfshirë nga pasioni për sportin dhe që do të thyejë më pas rekordet kombëtare. Me vajzat e Durrësit ekipi “Teuta” doli disa herë në vendin e parë. Psatha pas viteve 1990 qe i vetmi trajner në peshëngitje, për të rinj e të rritur, për djem e vajza. Kështu që edhe koha e punës dhe stërvitjes kushtuar ekipit do të ishte shumë e zënë pa i dhënë mundësi të pushonte e të argëtohej. Koha e përgatitjes së peshëngritëseve vajza është edhe ndër më të mirat në karrierën e gjatë sportive të Besnik Psathës.
.Intervista
Punonit dhe stërviteshit çdo ditë. Sa orë i kushtonit përgatitjes në palestër?
Meqë merreshim me sport dhe ishim të federuar, në ndërmarrjen e shtetit punonim pesë orë. Nxitonim për në shtëpi, ushqeheshim dhe shkonim në palestër. Aty, sipas rastit, por jo më pak se tre orë përgatitje itensive me shtangë në dorë dhe gjimnastikë. Veprimet ishin me grafik, me kalendar. Lodhja ishte e madhe, mund të them deri edhe e paimagjinueshme për sportistët sot. Ajo që na mbante aktiv ishte pasioni, këmbëngulja. Numëronim ditët e afrimit të kampionatit dhe merrnim zemër për t’u paraqitur sa më mirë. Uniforma, paisjet, salla e stërvitjes, udhëtimet, ushqimi, fjetja jashtë Durrësi në rastet e kampionatit, të gjitha paguheshin nga shteti. Tek Danubi në Durrës kishim mensën tonë. Aty ushqeheshin të gjithë sportistët: futbolli, basketbolli, mundja, peshëngritja, volejbolli, noti…drekë e darkë. Kishim 100 lekë në ditë, shumë jo e vogël. Ishte kuotë e përcaktuar.
Peshëngritësi shpenzon shumë energji, kësisoji kërkon edhe trajtim të veçantë ushqimor.
Në të gjitha sportet shpenzohet energji. Por peshëngritja dhe mundja shumë më shumë se sportet e tjera. Meqë jemi tek trajtimi ushqimor po u tregoj një episod që ka lidhje me sa ju interesoheni. Babai ka qenë mbështetja ime e fortë për t’u marrë me sport. E kisha tifozin personal. Më ndiqte gjithandej. Edhe kur mamaja ankohej për lodhjen time, vështirësitë, kohën e gjatë të stërvitjes, babai e qetësonte dhe mua më inkurajonte të vazdhoja sportin. Gjendja ekonomike ishte e dobtë, ashtu si të gjitha ekonomitë e tjera. Një ditë babai më kërkon të merrja leje tek puna në ndërmarrje për 15 ditë dhe po kaq ditë të kërkoja edhe tek sporti, për të ndërprerë stërvitjen. Bëra si më tha dhe iu nënshtrova një regjimi në shtëpi të cilin e kishte programuar pa dijeninë time. Babai kishte rezervuar ca lekë dhe në bazë të llogarisë së tij i binte që me ato lekë unë të merrja një trajtim të veçantë ushqimor. Çdo ditë më vinte para, në tryezë, gjysmë kile mish, 4 vezë, gjysmë kile rrush, mollë, qumësht, reçel, gjalp dhe gatime të tjera.Një muaj rresht. U shëndosha dhe këtë e vura re ditën e parë që dola në punë. Shumëkush së bashku me përshëndetjen e parë më vinte në dukje se kisha marrë një shëndet të mirë. Por vetëm kaq pasi disa muaj më vonë do të kthehesha në gjenden e mëparshme. Familja nuk kishte mundësi të më bënte përherë trajtim të tillë. Babai kishte kursyer më shumë se një vit pak e nga pak për të më bërë trajtimin e veçantë.
Është vështirë të gjenden sportistët e duhur për peshëngritjen?
Më e vështirë është të mbahet ekipi me sportistët e peshëngritjes. Them këtë pasi në karrierën time si trajner më është dashur të nisë krijimin e ekipit nga e para disa herë. Kjo ngase sportistët në pamundësi për t’u sistemuar në punë, janë detyruar të emigrojnë. Me këtë eksod që ka disa vite si i tillë, ndeshen të gjitha sportet. Vështirë është edhe të pikasës të riun në peshëngritje. Kërkon jo vetëm kujdes, por edhe intuitë. Sapo nisa profesionin e trajnerit, mbaj mend se po ndiqja disa gara të fëmijëve të shkollave, me synimin për të kërkuar elementë. Kapërcen gardhin një fëmijë 10 vjeç dhe drejt e tek shtanga pa pyetur askënd. Ishte diku tek 20 kg dhe shtanga po aq. E ngre pa më të voglin shqetësim. Nxitova dhe munda ta ndaloj. E pyes se si e ka emrin. Pasi më thotë se quhet Kreshnik Leka pajtohet me kërkesën time për t’u bërë pjesë e ekipit “Lokomotiva” për të rinjtë e moshës 12,13-17 vjeç. Ai nuk e kishte mbushur ende moshën, megjithatë nisa të punoj fort me të. Pas disa vitesh theu rekordin kombëtar. Në peshën 77 kg ngriti 135.5 kg në shkëputje dhe kjo shifër qe tregues i thyerjes së rekordit. Ka sa të duash shembuj të tillë.
Sigurisht që është vështirë për trajnerin të veçojë një emër sportisti. Nëse do ua kërkonim vetëm një nga të gjtihë, kë do të zgjidhnit dhe pse?
Sportistin Sopot Sula. E ka nisur 10 vjeç ushtrimin e peshëngritjes. Sopoti sot është 18 vjeç, nxënës në shkollën e mesme, viti i tretë. Stërvitet shumë, shumë. Ka rezultate dhe tregues cilësorë. Edhe Admir Smoqi, Bruno Nuho e të tjerë por ju më kërkuat vetëm një emër për të treguar ecurinë e ekipit. Sula vjet mori pjesë në Kampionatin Evropian me shpenzimet e veta. Kampionati u zhvillua në Lituani dhe peshëngritësi i ekipit “Teuta”, i peshës 85 kg, zuri vendin e tretë. Ngriti 142 kg në shkëputje dhe 171 kg në shtytje. Gjatë stërvitjeve tona pati arritur 140 kg në shkëputje dhe 170 kg në shtytje. Atje përmirësoi treguesit dhe kjo për ne si ekip është një arritje e madhe. Sula është djalë i mrekullueshëm, i bindshëm, aktiv, i fortë, plot energji. E admirojmë të gjithë si ekip. Ai ka futur shpirtin e garës.
*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!







