Ballina Dossier Zbulohen dokumentet për prishjen e Moskës me Tiranën më 1961: Në takimin...

Zbulohen dokumentet për prishjen e Moskës me Tiranën më 1961: Në takimin me delegacionin e kryesuar nga Enver Hoxha, Hrushovi…

72
0

Nga Andrey Edemskiy

Materiali i mëposhtëm është një punim i Andrey Edemskiy, i Institutit për Studime Sllave në Akademinë Ruse të Shkencave. Autori sjell për herë të parë si burim arkivor deri më tani të papublikuar, Fondet 2, 3 dhe 10 të Arkivit Shtetëror Rus, për Historinë Bashkëkohore, përmes të cilit mund të shohim optikën sovjetike mbi atë që po ndodhte në raportet me Shqipërinë në vitet 1960-1961. Këto burime ndihmojnë që disa mite në historiografinë e më pas imagjinatën kolektive shqiptare të rishikohen. Miti i “betejës” në bazën e Vlorës, duhet parë përtej optikës së ngushtë të një fitoreje shqiptare dhe demonstrimit të forcës, pasi të paktën sipas dokumentacionit në fjalë, nuk rezulton që sovjetikët të kenë patur ndonjëherë ndërmend skenarë ushtarakë në Shqipëri. Megjithatë akademiku rus e mbyll punimin me theksimin se ka nevojë që burimet të krahasohen, për të kuptuar më shumë atë që ka ndodhur.

Një gjë del e qartë: pavarësisht sjelljes apo gabimeve të sovjetikëve – të cilat pranohen si të tilla – Enver Hoxha nuk ia la rastësisë shkëputjen me sovjetikët. Ai e kishte qëllim politik atë dhe e provokoi deri në fund, së pari duke luajtur në marrëveshje me palën kineze dhe së dyti duke minuar klimën e bashkëpunimit. Mbetet për t’u hulumtuar se çfarë qëndron pas kësaj politike, por p.sh., interpretimi i autorit për takimin në Tiranë mes tij dhe Andropovit dhe Pospjellovit, jep të kuptojë se Enver Hoxha është ndjerë i rrezikuar personalisht prej sovjetikëve.

Dhe vendosi të spastronte partinë nga çdo element i mundshëm pro tyre dhe pastaj në dritën e fërkimeve sovjeto-kineze të përgatiste përshkallëzimin e situatës, duke qëndruar publikisht si një komunist i vendosur që kishte kapur në gabim ideologjik sovjetikët. Është po ashtu e pasqaruar mirë, edhe me këto dokumente, nëse afrimi i Hrushovit me jugosllavët ishte refleks i prishjes me Shqipërinë, apo lidhet me një politikë të Kremlinit në Ballkan. Autori thotë se në çdo rast, afrimi me Jugosllavinë, i dha një alibi Enver Hoxhës, i shtroi edhe më tej rrugën atij drejt shkëputjes përfundimtare.

Studimi i Andrey Edemskiy, nga Instituti për Studime Sllave në Akademinë Ruse të Shkencave

Pavarësisht kësaj, dy javë më vonë lidershipi sovjetik iu kthyer temave shqiptare. Deklaratat e mëparshme për suksesin e takimit ndërkombëtar të partive komuniste në Moskë në muajin nëntor, të regjistruara në vendimin e Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, u harruan. Që në fund të muajit dhjetor, sovjetikët iu rikthyen vlerësimeve që kishin dominuar mendimin në Moskë, përpara takimit të nëntorit. “Çështja mbi Shqipërinë” ishte sërish objekt në agjendën e takimit të Presidiumit më 30 dhjetor. Pjesëmarrësit në të diskutuan situatën e negociatave me palën shqiptare për çështjet ekonomike.

Si rrjedhojë e diskutimit, Ministria e Jashtme sovjetike (Kuzencov), u udhëzua që “të përgatiste një përgjigje ndaj notës së Ministrisë së Punëve me Jashtë të Shqipërisë rreth negociatave për çështjet ekonomike”. Siç njihet nga protokolli i vendimit (i de-klasifikuar dhe i publikuar), diskutimi shkoi përtej temave thjesht ekonomike. Hrushovi foli “rreth bazës detare dhe nëndetëseve”. Si pasojë, Ministria e Mbrojtjes (Malinovski) dhe Ministria e Punëve me Jashtë, u udhëzuan “të përpunonin dokumente të rëndësishme”, “që merrnin parasysh shkëmbimin e pikëpamjeve”.

Materialet që liderët sovjetikë kishin marrë përpara takimit të 30 dhjetorit, janë ende të pa disponueshme për studiuesit, por konsultimi me dokumente të tjera të de-klasifikuara, ka qenë i dobishëm në mbledhjen e hollësive të mëtejshme që kanë të bëjnë me këtë diskutim. Duket se dokumentet referuese ishin përgatitur bashkërisht nga Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes (Malinovski dhe Gromiko si dhe Komandanti i Flotës Sovjetike, admirali Gorshkov”, që më 11 nëntor 1960 (dokumenti nr. 655 nën siglën “tepër sekret”). Vetëm një dokument i ri u shtua për takimin e 30 dhjetorit – “telegram i shokut Novikov nga Tirana”, (nr. 423 i 27 dhjetorit 1960).

Është e njohur po ashtu se u ftuan të merrnin pjesë në diskutimet e 30 dhjetorit mbi këtë çështje, Malinovski dhe Gorshkov, si dhe tre zv. ministra të Jashtëm, Kuznecov, Semenov dhe Firjubin. Për shkak të mungesës së burimeve që janë të klasifikuara, përmbajtja e deklaratave të Hrushovit për bazën detare dhe nëndetëseve në Vlorë, mund vetëm të hipotetizohet nga ajo se çfarë ai tha në takimin me delegacionin shqiptar të udhëhequr nga Enver Hoxha, më 12 nëntor: “Ne tani themi se, nëse ju doni, ne mund ta heqim bazën. Nëndetëset janë tonat”. Në të njëjtën kohë, shkëmbimi i urimeve të Vitit të Ri mes udhëheqësve sovjetikë dhe shqiptarë, nuk e reflektonte divergjencën që vazhdoi të rritej në fund të vitit 1960.

Hrushovi dhe Brezhnjevi dërguan telegramet e tyre në Tiranë për të katër liderët shqiptarë dhe morën si përgjigje një tekst thuajse identik nga Tirana. Në të dyja rastet, urimet fillonin me: “të dashur shokë”. Klima festive u shenjua po ashtu nga vendimi i sovjetikëve i 4 janarit, kur Presidiumi miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik, për të transferuar drejt Ushtrisë Popullore Shqiptare materiale speciale për detashmentin e 46-të detar OSNAZ (Forca Speciale). Për këtë çështje, në datën 27 korrik 1960, në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Sovjetik, ishte adoptuar një urdhër, por në atë moment ai mbeti i pa miratuar nga ndonjë vendim përkatës i Presidiumit, ndoshta për shkak të zhvillimeve të papritura të takimit të Bukureshtit në fund të qershorit.

Por në datën 7 janar 1961, Ministria e Jashtme në Moskë, udhëzoi ambasadorin e vet në Tiranë, që të protestonte kundër diskriminimit të anijeve sovjetike të transportit në portin e Durrësit. Pakënaqësia e sovjetikëve u shkaktua nga situata se “shumica e anijeve transportuese sovjetike që kishin grurë dhe të tjera ngarkesa për Shqipërinë”, u lanë të pashkarkuara, ndërkohë që anijet e tjera të huaja nuk hasnin në probleme të tilla. Sovjetikët mendonin se “autoritetet shqiptare krijojnë kushte më të favorshme për anije të vendeve të tjera, krahasuar me ato sovjetike”.

Ministria e Jashtme u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të marrin masa për parandalimin e praktikave të tilla. Kur sovjetikët arritën në përfundimin se udhëheqësit shqiptarë nuk kishin bërë asnjë hap serioz për të normalizuar raportet me Moskën, pas më shumë se pesë javë nga Deklarata e Moskës, vlerësimet e mëparshme pozitive, duhet të ndryshoheshin. Kjo u bë nga ideologu Mikhail Susllov, në raportin e tij dorëzuar në sesionin e 12 janarit 1961, të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. I dedikohej ekskluzivisht takimit të Moskës dhe përfundimeve të tij.

Këtë radhë ai ofroi një vlerësim të thatë për perspektivën e marrëdhënieve të mëtejshme me udhëheqjen e lartë shqiptare. Nëse gjendja e marrëdhënieve me udhëheqjen e Komitetit Qendror të Partisë ishte raportuar saktë, atëherë Susllovi i përshkroi shumë mprehtësish veprimet e udhëheqjes së lartë shqiptare. Ai vuri në dukje se burimi i “pozicionit të tyre të gabuar”, “arsyeja e shkëputjes së tyre nga pozicionet sovjetike, është dogmatizmi në lidership, papjekuria politike, regjimi i kultit të personalitetit dhe pozicionet nacionaliste, sidomos në raport me Jugosllavinë”.

Pavarësisht një ndryshimi të tillë kaq të thellë në vlerësime, Moska vijoi të ushtronte përmbajtjen në qasjen ndaj Shqipërisë. Liderët shqiptarë ftuan një delegacion të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në kongresin e afërt të PPSh-së. Udhëheqjes sovjetike iu duk ky si një rast i mirë, për të stabilizuar marrëdhëniet dhe ulur tensionin. Në 16 shkurt 1961, delegacioni sovjetik (Petër Pospjellov, Juri Andropov dhe Josif Shikin, ambasadori sovjetik në Tiranë), u udhëzua t’i “përmbahej konkluzioneve dhe vlerësimeve të takimit të Moskës (mbledhja e 81 Partive, siç njihet në historiografinë shqiptare), në një mënyrë të vendosur dhe parimore, duke u përpjekur të shmangnin një polemikë direkte me liderët shqiptarë”.

Ata duhet po ashtu “të harmonizojnë vijën e përgjithshme të sjelljes në kongres, me atë të delegacioneve të partive të tjera komuniste dhe të punëtorëve nga vendet socialiste”. Në përpjekjen për të parashikuar zhvillime të mundshme, udhëheqja sovjetike nuk përjashtoi mundësinë e “sulmeve të hapura armiqësore kundër PKBS-së”, nga udhëheqësit shqiptarë në kongres, duke e paralajmëruar delegacionin që të ishte i përgatitur. Por Moska nuk përjashtoi mundësinë që udhëheqësit shqiptarë të ofronin edhe opsionin e “një takimi me delegacionin e PKBS-së”.

Në atë rast, delegacioni supozohej “të pranonte ofertën” dhe të shfrytëzonte mundësinë e bashkëbisedimit me udhëheqjen shqiptare për të përsëritur pikat e fjalimit të Hrushovit të 23 nëntorit, në takimin e Moskës. U deklarua po ashtu se; “ne nuk do të donim të kishim një diskutim me ta në kongresin e PPSh-së, por nëse një gjë e tillë do të na imponohet, delegacioni duhet të japë një kundërshtim të fortë”. U vu po ashtu në dukje se “delegacioni nuk duhet të injorojë sulme të mundshme kundër partive motra në kongres dhe se duhet t’u jepet kundërshtimi i duhur këtyre sulmeve”. Direktivat nënvizonin edhe njëherë se delegacioni nuk duhet të niste një polemikë me udhëheqjen shqiptare me nismën e vet.

Duke mbajtur parasysh praktika të mëparshme, Moska besonte se ishte e mundshme që delegacioni sovjetik të ftohej për të marrë pjesë në takime masive pas kongresit dhe rekomandoi që një ftesë e tillë të mos refuzohej. Parashikimet sovjetike për sjelljen e palës shqiptare u provuan si pjesërisht të sakta. Për sa kohë që Hoxha dhe enturazhi i tij u përmbajtën në nisjen një sulmi ndaj udhëheqjes sovjetike, nuk kishte nevojë që Pospjellov të niste kundërsulmin. Ai mbajti një fjalim konstruktiv. Shtypi sovjetik publikoi versione të shkurtuara si të tekstit të tij, ashtu edhe të raportit të Enver Hoxhës para të deleguarve. Por Hoxha luajti sërish më mirë se Hrushovi.

Në të kundërt me pritmëritë e autorëve të udhëzimeve për delegacionin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ai priti Pospjellovin dhe Andropovin jo më parë sesa ditën e fundit të kongresit, më 20 shkurt. Ai donte me gjasë të shihte reagimin e tyre teksa ishte e qartë se mes delegatëve nuk kishte asnjë opozitar ndaj tij dhe se partia ishte e vendosur plotësisht nën kontrollin e tij. Siç është bërë e qartë nga memorandumi i bisedës së tyre, takimi ishte formal. Rezultatet e vizitës së delegacionit të PKBS-së në Tiranë, u diskutuan në takimin e Presidiumit të Komitetit Qendror të PKBS-së më 24 shkurt. Raporti i Pospjellovit nuk jepte arsye për entuziazëm. Nga një lexim i procesverbalit shihet se pas leximit të tij pasoi një diskutim aktiv (Andropovi, Mikojani, Hrushovi, Kozllovi, Susllovi, Furçeva).

Edhe njëherë u bë e qartë se Enver Hoxha nuk e donte një tjetër takim personal me sovjetikët. Aktiviteti i delegacionit u miratua dhe “hapat e tij taktikë” u përshkruan si “korrekte”. Megjithatë diskutimi zbuloi disa divergjenca opinionesh mes Mikojanit dhe Hrushovit. Pak rreshta nga proces-verbali tregojnë se Hrushovi flet “nga pozicionet e parimit në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Shqipërinë”, duke këmbëngulur se nuk kishte nevojë të nënshkruhej një marrëveshje tregtare në këtë moment. Ai shihte një rrugëdalje në vazhdimin e negociatave “të nivelit më të lartë në Moskë”. Nga ana e vet, Mikojani argumentoi kundër hapave që mund t’u jepnin kinezëve një mundësi për të thënë se “ne po i bëjmë presion një vendi të vogël”.

Mikojani po ashtu konsideronte të rëndësishme që të mos ndërpriteshin marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë. Dhe nëse shqiptarët do të refuzonin të rishikonin pozicionet e tyre, ai propozonte që delegacioni i PPSh-së të mos ftohej në punimet e kongresit të 22-të të PKBS-së në tetor. Në vazhdën e këtij diskutimi, pjesëmarrësit erdhën në përfundimin se qëndrimi sovjetik në mosmarrëveshjen e acaruar me Shqipërinë duhet të argumentohej me prova, përfshirë përgatitjen e transmetimeve televizive që do të shpjegonin situatën. U vendos, bazuar në rezultatet e diskutimit, që të përgatiteshin (Kozllov, Brezhnjev, Mikojan, Pospjellov dhe Andropov), propozime lidhur me çështjet ekonomike mes Bashkimit Sovjetik e Shqipërisë dhe një draft-letër nga Komiteti Qendror i PKBS-së, drejtuar Komitetit Qendror të PPSh-së, mbi marrëdhëniet sovjeto-shqiptare në përgjithësi.

Në fund të dimrit të vitit 1961, ishte e qartë se konflikti sovjeto-shqiptar ishte thelluar. Një fazë e re ishte ai i shkëmbimit intensiv të letrave në fund të dimrit dhe fillim të pranverës. Ky shkëmbim është studiuar deri më tani vetëm pjesërisht dhe në mënyrë selektive. Ai kërkon një përdorim të plotë të dokumenteve të disponueshme dhe një studim më të kujdesshëm dhe objektiv sesa deri më tani. Ishte kjo periudha kur u shkëmbyen letra mes Komandantit të Forcave të Bashkuara të Armatosura të Paktit të Varshavës, marshallit sovjetik, Andrei Greçko dhe ministrit shqiptar të Mbrojtjes, gjeneral-kolonel Beqir Balluku (25 shkurt, 22 mars, 1961), sikurse edhe memorandum i 22 marsit, më pas sërish mes Greçkos dhe Ballukut më 24 dhe 27 mars.

Në këtë kohë një faktor i veçantë në përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, ishte kontradikta mbi situatën dhe të ardhmen e Bazës Detare në Vlorë, krijuar nga forcat detare sovjetike në vitin 1959, me kërkesë të palës shqiptare, brenda kuadrit të Organizatës së Traktatit të Varshavës. Korrespondenca vazhdoi edhe më tej, përfshirë letrat e Mehmet Shehut të 5 dhe 8 prillit. Një tregues i rëndësishëm i qëndrimit të Hrushovit ishte fjalimi i tij në takimin e udhëheqësve të lartë të vendeve aleate në Paktin e Varshavës, mbajtur më 29 mars 1961. Para takimit, udhëheqësi sovjetik ishte ende shpresëplotë se konflikti në rritje do të zgjidhej nga një takim personal i tiji me Enver Hoxhën.

Ai e ftoi sërish atë dhe Mehmet Shehun që të vizitonin Moskën, për të marrë pjesë në takimin e Komitetit Konsultativ Politik të Paktit të Varshavës, në fund të marsit. Mund të hamendësohet me siguri të madhe se materiali i udhëheqjes sovjetike; “Mbi udhëzimet e ambasadorit sovjetik në Tiranë”, i datës 18 mars 1961 (ende i pa disponueshëm për studiuesit), i dedikohet pikërisht kësaj çështjeje. Hoxha dhe Shehu e refuzuan ftesën “për arsye shëndetësore”. Në vend të tyre, u caktuan si pjesëmarrës ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe ministri i Jashtëm, Behar Shtylla. Një pjesë e fjalimit të 29 marsit të Hrushovit, i dedikohej Shqipërisë. / Memorie.al