Ballina Dossier Shamizezat e Çlirimit

Shamizezat e Çlirimit

32
0

Nga Artan Lame 

Radanji është një fshat, sot gati i shuar, në Kolonjë.

Bulja, ishte një nga nënat e këtij fshati, që kish sjellë në jetë pesë djem dhe jetonte me ëndrrën t’i rriste, t’i martonte e pleqëronte.

Qeshibesi është një fshat, sot i vogël, në Dangëlli.

Taméja, ishte një nga nënat e këtij fshati, që kish sjellë në jetë katër djem dhe jetonte me ëndrrën t’i rriste martonte e pleqëronte.

Të dyja ishin nga ato gratë e dikushme shqiptare që u qeshte pak buza veç në vegjëli e rini dhe që më pas pastaj, e kalonin jetën duke u shërbyer pa bërë zë burrave e bijve, brez pas brezi e mot pas moti.

Por ëndrrat e nënave të vuajtura rrallë realizohen, sepse jeta ka të tjera plane.

Një pjesë e djemve të Radanjit u lidhën me Ballin Kombëtar, ashtu sikundër një pjesë e djemve të Qeshibesit u lidhën me Partinë Komuniste në vitet e Luftës II Botërore. Të asaj Luftës që përfshiu gjithshka, mbretërira, Perandorë e Presidentë, Fyhrer nazistë, Duçe fashistë e Sekretarë të Parë Bolshevikë, që nga Moska, Londra, Tokio e Washingtoni dhe që e gjeti shtegun të depërtonte deri atje thellë, në gërxhet e Kolonjës e të Dangëllisë.

Të bijtë e nënë Bules e të nënë Tamesë, ca dolën të luftonin me mëndjen e tyre, e ca të tjerë i hoqi osh pas vetes Lufta dhe morën malet. Djemtë atë punë kanë, u mbushet koka për diçka, punë, ide, inat, apo ideal dhe pa parë më mbrapa, marrin malet dhe janë gati të vriten e të vrasin për atë që u thotë koka. Pa e vrarë mendjen për nënat që lanë pas, të mbyllura në muret e zbrazëta të shtëpive, duke pritur ndonjë lajm për djemtë që vriten e vrasin për liri, demokraci shoqërore, barazi sociale, çlirim nacional, të djathtë konservatore apo të majtë progresiste.

Më në fund, si të gjitha luftrat, edhe Lufta e Dytë mbaroi, duke lënë pas dhjetramilionë të vdekur dhe të gjitha sistemet e njerëzimit diku të përmbysur e diku të tronditur nga themelet.

Mbaroi Lufta edhe për nënë Bulen në Radanj, por i la pas dy djem të arratisur maleve që i ndiqnin si të ishin lepuj për t’i vrarë dhe tri vëllezër të internuar kënetave të Myzeqesë.

Mbaroi Lufta edhe për nënë Tamenë atje në Qeshibes, por i la pas burrin të vrarë në Luftë, dhe katër djemtë jetimë në atë luftën që na premtoi të ishte Lufta finale që do sillte lumturinë e përjetshme.

Të dyja nënat vunë në kokë shamizë e zezë që nuk e hoqën deri në ditën e fundit të jetëve të tyre që do të ishte edhe më e zezë.

Nënë Bulen e kam njohur nga rrëfimet e të birit, Ekremit, nga më të famshmit veprimtarë të diasporës shqiptare të Amerikës. Me dy djemtë të burgosur në Korçë, dhe vëllezër e nuse e foshnja të shpërndarë internimeve, Ekremi më i madh i djemve bashkë me nënë Bulen dhe vëllezërit e vegjël u detyrua të arratisej për të mos përfunduar edhe ai i arrestuar. Imagjinoni nënën që detyrohet të lerë djemtë në burg (dhe që nuk i pa më derisa dha shpirt) që ikën natën nëpër shtigjet e kufirit e mbajtur në shpinë nga djali tjetër dhe duke hequr pas dy djem të tjerë të vegjël. Ndërkaq njërin nga djemtë ja pushkatuan. Çfarë ka menduar? Çfarë ka ndjerë, ç’pikëllim i ka parë shpirti? S’do ta dimë kurrë.

Ndërsa nënë Tamenë e kam njohur personalisht, sepse ishte nuse në derën e gjyshes time. Veç burrit që ju vra në luftë, ju desh të rriste e vetme djemtë e mitur. Kam kujtime të saj që sot duken të pabesueshme, që edhe t’i vësh nëpër filma do dukeshin të sforcuara, por janë dëshmi të një epoke të vrazhdë. Dhe të mos harrojmë që nënë Tameja ishte në anën e fitimtarëve të Luftës, merre me mend vojtjet e nënave të humbësve të Luftës!

Këto nëna dhe mijëra të tjera si ato, nuk e njihnin njëra-tjetrën, e donin vëndin e tyre, por shekulli i ideologjive i vuri pa kuptim të vuanin për ideologjira që as i kishin shpikur vetë e as i kuptonin.

Edhe bijtë e tyre, Ekremi i nënë Bules dhe Ferhati i nënë Tamesë, që i kam njohur personalisht që të dy, e donin me shpirt Shqipërinë.

Shqiptar i mirë, patriot antikomunist Ekremi, i gatshëm të jepte çdo gjë për Shqipërinë duke e vuajtuar mallin për vendin e vet për dhjetra vjet rresht. Shqiptar i mirë, oficer besnik i atdheut të vet, për të cilin do kish dhënë jetën po të qe nevoja ishte edhe Ferhati, duke qenë komunist dhe kundështar për vdekje i palës tjetër.

Të dy këta, ashtu sikundër nënat e tyre, nuk e njihnin njëri tjetrin, por shekulli i ideologjive i vuri përballë njëri-tjetrit të gatshëm t’i merrnin jetën tjetrit nëse do ishin gjendur përballë, gjithmonë në emër të ideologjive që premtonin një botë më të mirë.

Fati i këtyre dy nënave është i njëjtë me fatin e mijëra nënave të tjera që ju nxi jeta përgjithmonë nga pasojat e ideologjisë së djemve, që u përplasën për dekada me radhë, pa e vrarë mëndjen as për dhimbjen e pakuptimtë që i shkaktuan njëri-tjetrit e as për dhimbjen e llahtarshme që ngulën në zemrat e nënave të tyre derisa ato ikën nga kjo botë njëra pas tjetrës në heshtje.

Shqipërinë e çliruam, fitores sot po i festojmë edhe 80-vjetorin, por nënave ua nximë shamitë për gjithë jetën.

Ndaj në këtë ditë, sefte le ta bëjmë adetin e përvitshëm, të vemë e të vëmë lule e kurora në varret e kampeve të përkundërta, secili tek të vetët, si ç’u ndanë këtu e 80 vjet të shkuara, me inatin që ende absurdisht e mbajmë akoma; por pastaj ejani të shkojmë së bashku e të vëmë nga një lule në varret e shamizezave nënave shqiptare, vuajtëset e mëdha të sherreve tona.