Ballina Politika Nis punën Komisioni i “Zgjedhores”. Gjiknuri: Të vijnë ata që mungojnë. Bylykbashi:...

Nis punën Komisioni i “Zgjedhores”. Gjiknuri: Të vijnë ata që mungojnë. Bylykbashi: Punë e kotë nëse Rama e quan “kinezëri” ligjin

105
0

Ka nisur punën këtë të martë Komisioni i Reformës Zgjedhore, i ngritur për të rishikuar ligjin për zgjedhjet, edhe për shkak të rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Nga mazhoranca, përveç përfaqësuesve të Partisë Socialiste, i pranishëm ishte edhe Tedi Mulaj nga Partia Social Demokrate. Ndërsa nga opozita mungon deputeti i Partisë Mundësia. Gjithashtu edhe 2 anëtarët e tjerë të cilët janë pa të drejtë vote, nga koalicioni “Shqipëria Bëhet” dhe Lëvizja Bashkë, nuk janë të pranishëm.

“Është detyrim i Komisionit Europian, sidomos përmbushja e pikës së transparencës së financimeve të partive. Ligji nuk është i vështirë, e bën të vështirë politika”, tha bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri. “Ju bëj thirrje atyre që mungojnë, të marrin pjesë, të kontribuojnë. Të mos e bëjnë debatin jashtë, por në këtë sallë. Ata e kritikojnë sistemin, edhe pse janë këtu pikërisht prej këtij sistemi”.

Ndërsa bashkëkryetari nga radhët e opozitës, Oerd Bylykbashi, tha se topi është në fushën e maxhorancës që të tregojë se reforma ka sukses. “Mund të shtojmë nene pa fund, por për sa kohë Kryeministri del e thotë “nuk e zbatoj ligjin, ligji është kinezëri”, ai nuk ka efekt.  Angazhimi maksimal i opozitës është që të angazhohet që të gjitha problemet e adresuara nga OSBE/ODIHR të arkivohen si të zgjidhura. Praktika ka treguar se kemi ndërhyrë edhe në ligje të tjera, përveç atij të zgjedhjeve. Nëse do të jetë e nevojshme duhet të shkojmë atje për t’i zgjidhur. Problemet e zgjedhjeve janë probleme keq qeverisje. Një pjesë e problemeve nuk zgjidhen me kod zgjedhor”, tha ai.