“Dialog po…Paqe po…Luftë jo…Kurrë luftë…”Dukshëm i shqetësuar, presidentit venezuelian adreson sërish presionin ushtarak në rritje nga shtetet e bashkuara, duke folur në anglisht.
Duke parë nga kamera, ai riafirmon përkushtimin ndaj diplomacisë dhe ligjit ndërkombëtar dhe dënon përdorimin e forcës apo kërcënime ushtarake. Në përgjigjie të sugjerimit të Trump për bisedime të mundshme, Maduro tha se Venezuela do të angazhohej me çdo vend që synon të bisedojë por paralajmëroi kundër agresionit të huaj, duke cituar një letër nga një pastor evangjelist që denoncoi bombardimin e komuniteteve të krishtera.
“Nëse duan të flasin me Venezuelën, do ta bëjnë këtë ballë për ballë, pa asnjë problem. Ajo që nuk mund të lejojmë, siç thotë letra e pastorit evangjelist, bombardimi dhe masakra e një populli të krishterë në Venezuelë, nuk mund të lejohet. Qëndrimi i Venezuelës është i palëkundur: respekt absolut për të drejtën ndërkombëtare. Ne e hedhim poshtë me vendosmëri kërcënimin ose përdorimin e forcës për të imponuar rregulla midis vendeve”, u shpreh Maduro.
Komentet erdhën pasi Trump u tha gazetarëve se administrata e tij mund të zhvillojë bisedime me Maduron, në një moment të caktuar për të adresuar tensionet në rritje. Por në një prononcim të hënën, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se nuk e ka përjashtuar mundësinë e dislokimit të forcave amerikane brenda Venezuelës. Ai e akuzon qeverinë e Maduros për përfshirje në trafikimin e paligjshëm të drogës në SHBA.
“Nuk dua të përjashtoj asgjë. Thjesht duhet të kujdesemi për Venezuelën. Ata lëshuan qindra mijëra njerëz në vendin tonë nga burgjet”, u shpreh Trump.
Tensionet mes dy vendeve kanë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit. SHBA-të kanë vendosur një armatë anijesh luftarake dhe mijëra trupa amerikane në rajon, kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, kanë autorizuar veprime të fshehta të CIA-s dhe kanë kërcënuar me sulme tokësore në Venezuelë.







