Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bërë gati tenderin për ndërtimin e centralit diellor në Belsh, një projekt i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Procedura e prokurimit publik për kompanitë e interesuara do të hapet në datën 20 nëntor, teksa menaxhohet nga BERZH, si kreditore e projektit.
Impanti do të ketë një kapacitet të instaluar prej 50 mWp, ndërsa kosto totale për ndërtimin e tij është 40 mln euro. 30 mln euro do të financohen përmes kredisë me garanci sovrane së BERZH-it, 8 mln euro janë grant nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe pjesa tjetër prej 2 mln euro, nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.
Duke qenë se kredia e BERZH është me garanci sovrane, aktualisht në komisonet parlamentare po diskutohet projektligji për marrëveshjen e garancisë, për t’i hapur rrugë financimit të projektit.







