Gjykata e Posaçme shpalli dje të pafajshëm ish-shefin e Operacionales Oltion Bistrin për korrupsion dhe pastrim parash duke e dënuar me 2 vite vetëm për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, dënim që konsiderohet i shlyer pasi e ka vuajtur në paraburgim duke urdhëruar lirimin e tij nga qelia, madje i kthehen edhe 1.3 milion euro të sekuestruara.
SPAK kishte kërkuar dënimin me 9 vite të Bistrit, por pas 4 orësh në Dhomë Këshillimi, togat e zeza pretenduan se nuk ekzistojnë faktet penale për 2 vepra që akuzohej nga SPAK.
Pasuritë e Oltian Bistrit
GJKKO publikoi sot vendimin ku identifikon pasuritë e Oltian Bistrit të cilave u është hequr sekuestroja.
“-Rrëzimin e kërkesës për konfiskimin e pasurive: 230,000 euro; 200,000 euro; 50,300 euro, 320,000 euro dhe 200,000 euro, në total 1,000,300 (një milion e treqind euro), shuma të cilat janë depozituar në AAPSK;
Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartamenti ndodhur në katin e ****, shkalla ****, me sipërfaqe totale 400m2, e fituar me kontratën e sipërmarrjes Nr.**** KOl ****, datë 09.03.2019 e porositur. ga shtetasi D.I.B;
Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament i ndodhur në katin e ****, shkalla ****, me sipërfaqe totale 400m2 e fituar me kontratën e sipërmarrjes Nr. **** Rep , NR.**** Kol datë 09.03.2019, e porositur nga shtetasi E.D.B;
Sipërfaqe ndërtimore e llojit njësi dyqan, me sipërfaqe totale 125 m2, e fituar me kontratën e sipërmarrjes Nr.**** Rep , Nr.**** Kol, datë 11.07.2017, e porositur nga shtetasi E.D.B;
Sipërfaqe ndërtimore e llojit njësi dyqan, me sipërfaqe 95 m2, e fituar me kontratën e sipërmarrjes Nr.**** Rep, Nr.**** Kol datë 11.07.2017, e porositur nga shtetasja N.T.B;
Sipërfaqe Ndërtimore e llojit apartament i ndodhur në katin e **** me sipërfaqe totale 110.6 m2 e fituar me kontratën e sipërmarrjes Nr.**** Rep , Nr.**** Kol, datë 25.02.2019, e porositur nga shtetasi Oltian D. Bistri, si të pabazuar në ligj e prova”
Gjithashtu u urdhërua edhe lirimi nga burgu i ish-Prokurorit të Kukësit Xhevahir Lita, duke e dënuar me 5 vite burg, që i zbret në 3.4 vite nga gjykimi i shkurtuar, dënim që e ka kryer në paraburgim, ndërkohë që SPAK kishte kërkuar dënimin e tij me 6 vite. 5 nga 7 anëtarët e grupit kriminal të dosjes “Metamorfoza” u dënuan në total me 35 vite.
Të dënuarit
EDMOND PREKA- 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar zbret në 7 vite
BEHAR BRAJOVIC (BAJRI)- 13 vite burg, me gjykim të shkurtuar zbret në 8.8 vite
ASTMER BILALI- 8 vite e 6 muaj burg, me gjykim të shkurtuar, zbret në 5.8 vite burg
XHEVAIR LITA- 5 vite burg, me gjykim të shkurtuar zbret në 3.4 vite, shurjes e masës “Arrest në burg”, lirim i menjëhershëm për shkak se e ka shlyer dënimin
OLTIAN BISTRI- 2 vite burg, fajtor për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, i pafajshëm për korrupsion i pafajshëm për pastrim parash, shuhet masa dhe urdhërohet lirim i menjëhershëm
Për biznesmenin strategjik Pëllumb Gjoka dhe ish-drejtuesin e policisë Ardrit Hasanbegaj vendimi u shty për në datën 2 dhjetor për shkak të pengesave proceduriale.
Pergjimet e Sky ECC
Vendimi përfundimtar i Gjykatës nuk konvenon me pretencën e SPAK edhe për pjesën tjetër të grupit, veç Oltion Bistrit e Xhevahir Litës. Për Behar Bajrin ishin kërkuar 15 vite burg, 10 për Astmer Bilalin dhe 11 për Edmond Prekën. Pritet të njihet edhe vendimi që do merret në 2 dhjetorit për Pëllumb Gjokën e Ardrit Hasanbegajn për të cilët SPAK ka kërkuar përkatësisht 14 dhe 9 vite heqje lirie.
Këta shtetas akuzohen nga SPAK për grup kriminal, korrupsion dhe sigurim kushtesh për vrasjen e Dorian Dhulit, Kleanthi Musabelliut, Ibrahim Licit e Genc Tafilit. Kujtojmë se vendimi është dhënë për pjesën e ndarë të dosjes me gjykim të shkurtuar, që përfshin veprat e lehta penale, ndërsa për vrasjen e shtetasit Gjin Ndoj ku akuzohen biznesmeni Pëllumb Gjoka, Behar Bajri dhe Edmond Preka çështja është ndarë veçmas me procedurë të zakonshme ku po vijon gjykimi.
Trupa gjykuese, – që mori vendimin më 18 nentor përbëhej nga gjyqtaret Etleva Deda, Flora Hajredini dhe Irena Gjoka – qëndroi 4 orë në dhomë këshillimi. Krimet u zbardhën nga SPAK pas transkiptimeve në aplikacionin SKY ECC për të cilat avokatët e disa prej të pandehurve pretenduan se janë përdorur në mënyrë të paligjshme nga organi akuzës.







