Një zjarr i madh ka përfshirë më shumë se 170 ndërtesa në një qytet bregdetar në jug të Japonisë.
Ai ka vazhduar të digjet gjatë natës dhe ende nuk është shuar plotësisht, njoftoi të mërkurën agjencia kombëtare e zjarrfikjes.
Rreth 175 banorë të distriktit Saganoseki në qytetin Oita, rreth 770 km në jugperëndim të Tokios, u strehuan në një qendër emergjence pasi zjarri shpërtheu rreth orës 17:40 me kohën lokale të martën, bëri të ditur Agjencia për Menaxhimin e Zjarreve dhe Katastrofave.
Një person ende rezulton i zhdukur, ndërsa shkaku i zjarrit është duke u hetuar, shtuan ata, raporton ap.
Pamjet ajrore të publikuara nga transmetuesit lokalë tregojnë shtëpi të reduktuara në rrënoja dhe re të dendura tymi që ngrihen mbi qytetin kodrinor me pamje nga porti i peshkimit, i njohur për skumbrin premium të markës “Seki”.
Një helikopter ushtarak zjarrfikës është dërguar me kërkesë të guvernatorit të prefekturës Oita, ka bërë të ditur kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi.
Mediat lokale raportojnë se zjarri është përhapur edhe në shpatet e pyllëzuara përreth.







