Ballina Sport Nuk kanë fund çuditë te rivalët e mundshëm të Shqipërisë

Nuk kanë fund çuditë te rivalët e mundshëm të Shqipërisë

80
0

Çekia është në kaos të plotë pas situatës ku futbollistët u revoltuan ndaj tifozëve të tyre që i kishin kontestuar.

Pas fitores së thellë ndaj Gjibraltarit, lojtarët e Çekisë nuk shkuan të duartrokitnin ultrasit dhe kjo bëri që të shpërthente një revoltë e mirëfilltë në rrjetet sociale.

Vendim i cili më pas u shoqërua nga një tjetër vendim, ai i Federatës Çeke, e cila saktësoi se lideri i kësaj skuadre, Tomas Suçek, nuk do të ishte më kapiten dhe se shiriti do i kalonte dikujt tjetër në ekip.

Një situatë shumë e pazakontë, për të cilën në mënyrë të pabesueshme nuk e kishin lajmëruar vetë të interesuarin direkt, Tomas Suçek.

Ky i fundit ka mësuar gjithçka nga mediat e pranishme në një aktivitet, ku ai po firmoste autografe në promovimin e librit të tij. Në ato momente ai u lajmërua për vendimin e Federatës dhe u duk menjëherë i çuditur, ashtu si edhe për vendimin tjetër që lojtarëve t’u hiqeshin premiot për ndeshjen.

“Ky është një informacion që po e marr nga ju, jam këtu për të firmosur autografe. Jam i lumtur që njerëzit më shohin.

Nëse ata e vendosën këtë kur unë po jap autografe, nuk kam asgjë për të thënë rreth kësaj teme.

Nuk dua të komentoj pasi kishte diçka mes nesh dhe tifozëve. Janë gjëra që duhet të qëndrojnë në dhomat e zhveshjeve dhe këto do të mbeten mes meje, shokëve dhe Federatës. Nuk dua të flas në media për këtë.

Por më duhet të kërkoj ndjesë. Edhe ne lojtarët kemi emocione për të cilat pendohemi.

Padyshim që nuk deshëm që gjithçka të përfundonte kështu.

Ne duam gjërat pozitive në vend të atyre negative, ndaj mund të them tani se duhej të kisha reaguar ndryshe.

Kërkoj falje, ndjej keqardhje tani”, tha Suçek pasi mori vesh lajmin për këtë situatë të pazakontë te rivalët e mundshëm të Shqipërisë në play-off.