Stuhia dhe reshjet e shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar dëme në bujqësi në Bashkinë Fier.
Në Njësinë Administrative Cakran, fshati Buzemadh, u dëmtuan rreth 1.2 hektarë serra me luleshtrydhe, duke sjellë humbje të konsiderueshme për fermerët lokalë.
Fermerët konfirmojnë dëmet dhe kanë shpërndarë edhe foto që dokumentojnë shkatërrimin e serave. Ata kërkojnë ndërhyrjen dhe mbështetjen e autoriteteve për të përballuar pasojat e motit të keq.
Situata nga moti i keq vijon të jetë e rënduar. Lidhur me Fierin, referuar të dhënave mbi prurjet e lumit Vjosë, në pik matjet Përmet-Memaliaj, konstatohet një shtim me intensitet të shpejtë i prurjeve në lumin Vjosë, në pikëmatjen e Urës së Mifolit. Ndaj është rritur gatishmëria e strukturave operacionale për menaxhimin e çdo situate të mundshme.
Pranë pikave kritike, janë vendosur mjete te tonazhit të rëndë, 5 skrepa/fadroma dhe mjete të larta transporti.







