Një ngjarje e rëndë ka tronditur Napolin, ku një 25-vjeçar telefonoi numrin 112 për të rrëfyer se kishte vrarë me thikë motrën e tij.
Kur karabinierët mbërritën në banesë, gjetën të pajetë 23-vjeçaren Noemi Riccardi, ndërsa vëllai i saj, Vincenzo Riccardi, pranoi menjëherë autorësinë e sulmit, duke deklaruar se kishte vepruar në një “gjendje çmendurie”.
Sipas hetuesve, menjëherë pas krimit ai ka bërë edhe një video-telefonatë me nënën, duke i treguar trupin e vajzës. Karabinierët e stacionit të Nolas e arrestuan 25-vjeçarin në vendngjarje, ndërsa Prokuroria hapi hetimin për të zbuluar motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
Burime hetimore bëjnë të ditur se si Vincenzo, ashtu edhe motra e tij Noemi, trajtoheshin në të njëjtën qendër të shëndetit mendor në Nola. Hetimet po fokusohen tani në historikun e tyre mjekësor dhe në dinamikën familjare që mund të ketë çuar në krimin e rëndë.
Telefonata alarmuese erdhi nga vetë autori i dyshuar, i cili njoftoi se kishte therur motrën me thikë. Forcat e rendit e gjetën ende brenda banesës, në gjendje të rëndë agjitacioni, pa tentuar të largohej. Mjekët e emergjencës mundën vetëm të konfirmonin vdekjen e të resë.
Sipas vlerësimeve paraprake, Noemi është goditur me thikë të paktën gjashtë herë. Arma e krimit, një thikë kuzhine, u sekuestrua në vendngjarje. Në momentin e sulmit, nëna e tyre nuk ndodhej në shtëpi.
“Isha i acaruar, nuk mund ta duroja më”, mësohet t’u ketë thënë Vincenzo oficerëve, ndërsa versioni i tij po verifikohet në detaje.
Noemi Riccardi, 23 vjeçe, jetonte me nënën dhe vëllain e saj në të njëjtin apartament. Vincenzo, 25 vjeç, nuk rezulton të ketë pasur më parë precedentë për dhunë në familje. Prokuroria po punon për të rindërtuar të shkuarën familjare dhe çdo element që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të motivit.







