Plarent Dervishaj, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, me 1 të vrarë e dy të plagosur, kërkoi përmes avokatëve seancë me dyer të mbyllura. Kjo me arsyetimin se mediat kanë shtrembëruar thëniet e dëshmitarëve.
Prokurori Adnand Xholi u shpreh kundër kërkesës, çka solli reagimin e ashpër të Dervishajt. Ai largoi avokatët dhe braktisi sallën e gjyqit.
“Bëjeni ju gjyqin”, tha Dervishaj.
GJKKO vendosi, pasi u tërhoq në dhomën e këshillit, të vijojë gjykimin pa praninë e të pandehurit, Plarent Dervishaj, ndërsa caktoi një mbrojtës kryesisht.
Trupa gjykuese vendosi shoqërim të detyruar për bashkë të pandehurit e tjerë: Bashkim Haxhia, Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani, të cilët janë dënuar në procese të veçanta për të njëjtën vepër penale.
Seanca e radhës u caktua në datë 5 dhjetor.







