Ballina Politika Agjencia AFP: Gjykata antikorrupsion pezullon aleaten e ngushtë të Ramës, dyshohet për...

Agjencia AFP: Gjykata antikorrupsion pezullon aleaten e ngushtë të Ramës, dyshohet për favorizim në dy tendera

32
0

Një gjykatë antikorrupsion pezulloi të enjten zëvendëskryeministren e Shqipërisë për shkak të implikimit të saj në një çështje korrupsioni me prokurime publike, i tha AFP-së një burim gjyqësor.

Belinda Balluku, 52 vjeç, e cila shërbente njëkohësisht edhe si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, konsiderohet një aleate e ngushtë e kryeministrit kujdestar socialist Edi Rama.

Sipas kërkesës së SPAK-ut, gjykata “ka vendosur të pezullojë znj. Ballukun nga detyrat publike… dhe t’i ndalojë largimin nga territori shqiptar”, thuhej në njoftim.

Duke qenë në atë post që prej vitit 2019, Balluku akuzohet për favorizim në dhënien e tenderëve të lidhur me ndërtimin e një tuneli 5.9-kilometërsh në një aks rrugor në jug të Shqipërisë, si dhe një segment të Unazës së Tiranës, sipas deklaratës.

Ajo mohoi akuzat gjatë një seance parlamentare të mërkurën, duke shtuar se do të bashkëpunojë me autoritetet.

Dy zyrtarë të tjerë të ministrisë së saj janë akuzuar në të njëjtën çështje dhe janë vendosur në arrest shtëpie.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten problemet kryesore që e pengojnë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në shkurt nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash.

Dy ministra të tjerë të mëparshëm të qeverive të Ramës janë akuzuar për shpërdorim fondesh dhe abuzim me detyrën.

Ish-kryeministri dhe ish-presidenti Ilir Meta u arrestua në tetor 2024, gjithashtu nën akuza korrupsioni dhe pastrim parash.