Ballina Kuriozitete Vaksina e herpesit: ilaçi i zakonshëm më premtues për të parandaluar Alzheimerin

Vaksina e herpesit: ilaçi i zakonshëm më premtues për të parandaluar Alzheimerin

31
0

Një studim i ri ka zbuluar tri ilaçe ekzistuese që mund të ripërdoren për të trajtuar ose parandaluar sëmundjen e Alzheimerit. Kërkimi, i udhëhequr nga Universiteti i Exeter-it, u botua në revistën Alzheimer’s Research and Therapy.

Studimi shqyrtoi 80 ilaçe të përdorura për sëmundje të tjera dhe gjeti se vaksina kundër herpes-zosterit (Zostavax) është opsioni më i fortë për t’u përdorur kundër Alzheimerit. Dy barna të tjera që treguan se ishin shumë premtuese janë Viagra (sildenafil) dhe riluzole, një ilaç që zakonisht përdoret për sëmundjen e neuroneve motorike.

Demenca është shkaktari kryesor i vdekjeve në Mbretërinë e Bashkuar, me rreth një milion persona që jetojnë me këtë gjendje. Një në tre persona të lindur sot pritet të zhvillojë demencë gjatë jetës. Megjithatë, ende nuk ka një kurë të sigurt. Të krijosh barna të reja nga fillimi kërkon 10–15 vjet dhe miliarda paund, prandaj ripërdorimi i barnave ekzistuese është një rrugë më e shpejtë dhe më ekonomike.

Një panel ndërkombëtar prej 21 ekspertësh të demencës, bashkë me persona të prekur nga kjo sëmundje, analizuan ilaçet dhe përzgjodhën tre kandidatë kryesorë. Të tre këto barna prekin mekanizma që lidhen drejtpërdrejt me Alzheimerin, kanë treguar përmirësime në studime me qeliza dhe kafshë, dhe janë të sigurta për përdorim tek të moshuarit.

Image

– Vaksina kundër herpes-zosterit (Zostavax) – studimet tregojnë se virusi i herpes-zosterit mund të lidhet me rritjen e rrezikut për demencë. Vaksina ndikon te sistemi imunitar në mënyrë që mund të ulë disa ndryshime të lidhura me Alzheimerin.

– Sildenafili (Viagra) – ndihmon në mbrojtjen e qelizave nervore dhe zvogëlimin e proteinës tau në tru. Te minjtë ka përmirësuar kujtesën dhe qarkullimin e gjakut në tru.

– Riluzole – e përdorur zakonisht për sëmundjen e neuroneve motorike; në studimet me kafshë ka treguar përmirësim të kujtesës dhe ulje të nivelit të tau.

Ekspertët rekomandojnë që këto barna të testohen në prova klinike për të kuptuar nëse vërtet ndihmojnë te njerëzit me rrezik për Alzheimer. Nga të tria, vaksina Zostavax doli më premtuesja, sidomos sepse kërkon vetëm dy doza dhe ka rezultate të mira sigurie. Studimet e mëparshme sugjerojnë se personat që e marrin këtë vaksinë mund të kenë 16% më pak gjasa të zhvillojnë demencë.

Pesë barna të tjera u shqyrtuan, por nuk plotësuan kriteret, si fingolimod, vortioxetine, microlithium, dasitinib dhe cytisine.

Studiuesit theksojnë se ripërdorimi i barnave mund të jetë një hap i madh në luftën kundër demencës, por është nevoja për më shumë testime para se këto barna të rekomandohen për përdorim të gjerë.