Ballina Aktualitet Sa e përdorin shqiptarët internetin? AKEP publikon numrin e abonentëve, ja çfarë...

Sa e përdorin shqiptarët internetin? AKEP publikon numrin e abonentëve, ja çfarë zbulon

24
0

Numri i abonentëve të internetit nga linjat fikse vijoi rritjen edhe në tremujorin e dytë të vitit.

Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve në fund të muajit qershor arriti në pothuajse 694 mijë, në rritje me 1.8% krahasuar me tremujorin e kaluar dhe me 7.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave nga AKEP, në fund të tremujorit të dytë, tregu kryesohej përsëri nga One Albania, që raportonte pothuajse 151 mijë abonentë në shërbimin e internetit me brez të gjerë, shifër që përbën afërsisht 21.7% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të tregut. One Albania e ka rritur numrin e abonentëve me 0.5% krahasuar me një vit më parë.

Pas bashkimit mes dy operatorëve mes One Telecommunications dhe Albtelecom, kompania e re, One Albania ka përmirësuar ndjeshëm ecurinë e saj në segmentin e shërbimeve fikse. Pasi pati humbur kryesimin e tregut në vitin 2022, prej vitit të kaluar One i është kthyer rritjes me ritme të larta dhe ka lënë përsëri mbrapa Vodafone Albania.

Vodafone Albania në fund të tremujorit të dytë raportonte rreth 149 mijë abonentë, në rritje me 15.4% krahasuar me një vit më parë. Vodafone mban vendin e dytë në tregun e internetit, me 21.5% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.

Kompanitë e tjera janë ende larg dy aktorëve mbizotërues në treg. E treta pozicionohet ASC (Tring), me 8.7% të numrit të abonentëve, e ndjekur nga Abissnet, me 6.5%, Digicom, me 5.2% dhe Nisatel, me 4.2%.

Në këtë treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonale dhe lokalë, që, të marrë së bashku, sipas vlerësimeve të AKEP, zotërojnë afërsisht 28% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.

Tregu i shërbimit të internetit broadband me linja fikse në dekadën e fundit ka qenë mjaft konkurrues, sidomos në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i lartë dhe ku janë përqendruar edhe investimet e operatorëve në infrastrukturë rrjeti.

Të dhënat e raportuara nga sipërmarrësit e ofrimit të rrjeteve fikse tregojnë së përveç rritjes së numrit të pajtimtarëve, zhvillim mjaft pozitiv ka pasur edhe në drejtim të zhvendosjes drejt shpejtësive më të larta, duke i ofruar këto shërbime me rrjet teknologjik të aftë që mundësojnë transmetim me shpejtësi të lartë dhe shumë të lartë (kryesisht nëpërmjet fibrave). Tashmë, rreth 69% e lidhjeve të internetit nga rrjetet fikse mbështeten në teknologjinë e fibrës optike.

Struktura e pajtimtarëve me akses në shërbime interneti fiks po evoluon në mënyrë të pandërprerë drejt shërbimeve broadband me shpejtësi shkarkimi mbi 30 Mbps (megabit për sekondë).

Rreth 84% e pajtimtarëve kanë pasur në vitin 2024 akses në lidhje fikse të kësaj shpejtësie, nga 69% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2023. Ndërkohë, 42% e pajtimtarëve zotërojnë lidhje me shpejtësi mbi 100 Mbps, nga 28% që kishte qenë ky tregues për vitin 2023.

Sipas AKEP, rritja e ndjeshme e numrit të pajtimtarëve që kanë akses në lidhje fikse me shpejtësi më shumë se 100 Mbps është një tregues mjaft pozitiv në funksion të arritjes së objektivave të parashikuara në planin kombëtar për infrastrukturë dixhitale broadband të shpejtësisë së lartë dhe shumë të lartë në të gjithë vendin.

Volumi i tregut të shërbimeve nga rrjetet fikse vitin e kaluar ra në 11.39 miliardë lekë, 4% më pak krahasuar me një vit më parë. Rënia është diktuar kryesisht nga tkurrja e të ardhurave të sipërmarrësit One Albania nga rrjetet fikse, me rreth 1 miliard lekë./Monitor