Kënga “Thirrem”, e punuar nga Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku, nuk do të garojë në Festivalin e 64-t në RTSH.
Kjo është bërë e ditur nga këngëtari Egzon Pireci, i cili ka vendosur të tërhiqet nga gara një muaj para se të nisë festivali, transmeton Zeri.info.
Pireci ka thënë se arsyeja e tërheqjes është personale dhe nuk lidhet në asnjë formë me organizimin ose stafin e Festivalit.
“Ju njoftojë se kënga ime ‘THIRRËM’ (kompozuar nga Armend Rexhepagiqi, teksti nga Aida Baraku, orkestrimi nga Nexhat Mujovi – Virusi), këngë kjo e cila ishte përzgjedhur nga juria profesionale për tu kënduar në Festivalin e Këngës në RTSH, edicioni i 64-t, tërhiqet nga gara. Për arsye të mia personale kam vendosur ta tërheq këngën nga gara”.
“Ky vendimi im nuk lidhet në asnjë formë me organizimin apo stafin e festivalit, përkundrazi, i falënderoj për mirëkuptimin dhe mbështetjen e treguar”, ka shkruar Pireci.
Ai tha se kënga është shumë e veçantë për të dhe do të publikohet me videoklip.







