Tenderat e pastrimit të bashkive janë shndërruar në një gjakpirje financiare të parave publike përmes një loje të pistë, e cila ka në qendër të saj tre kompani. Ato janë Alko Impex e Arbër Abazit, Fusha shpk e Shkëlqim Fushës dhe Rej shpk e Luan Kaprit.
Kapitali konsultoi dokumentacionin e tenderave të pastrimit të një sërë bashkive në Shqipëri. Skema është e qartë. Të tre kompanitë duken në marrëveshje të hapur me njëra tjetrën duke ofruar oferta me diferenca minimale nga fondi limit dhe nga njëra tjetra.
Në gjuhën teknike kjo skemë njihet si koluzion, situata ku disa kompani bashkëpunojnë fshehtazi me njëra tjetrën për të rritur çmimet e punëve publike.
Shkelqim Fusha dhe Arber Abazi
Por teksa Autoriteti i Konkurrencës duket se nuk i ka kapacitetet për ta hetuar këtë abuzim dhjetra milionë euro me paratë e qytetarëve, Shqipëria duhet të gjejë një zgjidhje për të shpëtuar nga 3 këpushat e pastrimit, që luajnë të koordinuara me njëra tjetrën.
Tenderi për pastrimin e Himarës
Në prill të këtij viti Bashkia e Himarës zhvilloi një tender për pastrimin e njësive administrative Himarë, Horë-Vranisht. Fondi limit i tenderit ishte përcaktuar 256.5 milionë lekë ose rreth 2.65 mln euro. Në garë morën pjesë 4 kompani.
Kompania “Pastrime Silvio” ofroi vlerën 253.8 milionë lekë, por kjo ofertë ishte kot pasi kompania nuk përmbushte kriterin e xhiros. Hileja qëndronte tek tre ofertat e tjera.
Alko Impex e Arbër Abazit ofroi 254.3 milionë lekë. Rej shpk e Luan Kaprit ofroi 255.3 milionë lekë, ndërsa Fusha shpk e Shkëlqim Fushës ofroi 255.9 milionë lekë. Fitues i tenderit u shpall Alko Impex me 254.3 milionë lekë ose sa 99.1 për qind e fondit limit.
Kompania Oferta mln leke % e fondit limit
Pastrime Silvio 253.8 98.9%
Alko Impex 254.3 99.1%
Rej 255.3 99.5%
Fusha 255.9 99.8%
Dhe nëse ky tender mund të duket rastësi, ka të tjerë që vijnë nga pas.
Tenderi për pastrimin e Golemit
Dy muaj pas tenderit për pastrimin e Himarës u hap një tjetër tender në fushën e pastrimit. Ky ishte prokurimi i shërbimit të pastrimit për njësinë administrative të Golemit, i zhvilluar nga Bashkia e Kavajës. Në tenderin me fond limit 331.1 milionë lekë ose 3.4 milionë euro u paraqitën tre oferta.
E para ishte e Alko Impex Construction me 329,1 milionë. Oferta e dytë ishte e Fusha shpk me 330 milionë, ndërsa oferta e tretë ishte e Rej shpk me 330.4 milionë lekë.
Kompania Oferta mln leke % e fondit limit
Alko Impex 329.1 98.8%
Fusha shpk 330 99.1%
Rej 330.4 99.2%
Edhe në këtë rast fitues u shpall sërish Alko Impex me 99.4 për qind e fondit limit.
Tenderi për pastrimin e Sarandës
Në 2 korrik ishte radha e Bashkisë së Sarandës për të zhvilluar tenderin e pastrimit të qytetit. Fondi limit për këtë tender ishte përcaktuar 131.6 milionë lekë ose 1.35 milionë euro.
Në garë u paraqitën dy oferta. E para ishte ajo e Alko Impex me 128.7 milionë lekë. Ndërsa oferta e dytë ishte e Rej shpk me me 130.1 milionë lekë.
Kompania Oferta mln leke % e fondit limit
Alko Impex 128.7 97.8%
Rej shpk 130.1 98.9%
Fituesi ishte sërish Alko me 97.8 për qind të fondit limit.
Tender për pastrimin e Pogradecit
Në gusht ishte radha e një llokme më të madhe. Bëhet fjalë për tenderin e pastrimit të Pogradecit me fond limit 436.3 milionë lekë ose 4.5 milionë euro.
Në këtë garë u paraqitën tre oferta. Oferta e parë ishte e Rej shpk me 430 milionë lekë. Oferta e dytë ishte e Alko Impex me 431.1 milionë lekë, ndërsa oferta e tretë ishte e Korsel me 433.4 milionë lekë.
Kompanitë Oferta mln lekë % e fondit limit
Rej shpk 430 98.6
Alko 431.1 98.8
Korsel 433.4 99.3
Kuajt e karuzelit thjesht ndërruan vendet dhe fitues u shpall Rej shpk e Luan Kaprit me 430 milionë lekë ose sa 98.5 për qind e fondit limit.
Tenderi për pastrimin e Dimalit
Në 22 shtator, Bashkia e Dimalit zhvilloi tenderin për pastrimin e qytetit. Fondi limit ishte përcaktuar 127.3 milionë lekë. Në këtë tender u paraqitën tre oferta. Fusha shpk hyri në joint venture me Ed Konstruksion dhe dhanë ofertën 102.4 milionë lekë.
Oferta e dytë ishte e Rej me 118.5 milionë lekë dhe e treta ishte e të përhershmes Alko Impex me 127.3 milionë lekë ose në kokë të fondit limit.
Kompania Oferta mln lekë % e fondit limit
Fusha & Ed Kons 102.4 80.4%
Rej 118.5 93.1%
Alko 127.3 100%
Gara u fitua nga bashkimi i operatorëve Fusha dhe Ed Konstruksion, këtë herë me kursim ekonomik, sa 80.5 për qind e fondit limit.
Tenderi për pastrimin e Elbasanit
I fundit në radhë është tenderi për pastrimin e qytetit të Elbasanit. Procedura e Prokurimit u zhvillua në datën 10 tetor, ndërsa fituesi paraprak u shpall vetëm këtë të premte.
Në tenderin për pastrimin e Elbasanit, me fond limit 314.6 milionë lekë ose rreth 3.25 milionë euro, morën pjesë tre konkurrentët e përhershëm. I pari ishte Alko Impex me ofertë 311.9 milionë lekë. Oferta e dytë ishte e Fusha shpk me 313.8 milionë lekë dhe oferta e tretë ishte e Rej shpk me 314 milionë lekë.
Fitues paraprak i tenderit u shpall sërish lubia Alko Impex me 99.1 për qind të fondit limit.
Kompania Oferta mln lekë % e fondit limit
Alko Impex 311.9 99.1%
Fusha shpk 313.8 99.7%
Rej shpk 314 99.8%
Alko Impex ka vendosur thuajse në dominim monopol shërbimin e pastrimit në të gjithë territorin e Shqipërisë duke përfituar qindra milionë euro nga buxhetet e bashkive. Kjo falë dyshimeve për një lojë të koordinuar mes një grusht kompanish, veçanërisht Fusha shpk dhe Rej.
Dyshimet për marrëveshje të fshehtë dhe lojë të koordinuar shtohen edhe nga fakti se Alko Impex dhe Fusha kanë fituar disa tendera në ortakëri në të shkuarën.
Në të gjithë tenderat e pastrimit, të tre këto kompani hyjnë me oferta me diferenca të papërfshillshme nga njëra tjetra sipas një skemë karuzel, e cila ndërron kuajt e karrocës. Alko merr shumicën absolute, ndërsa Rej dhe Fusha ndajnë territoret që lë të lira Arbër Abazi./ Kapitali







