Ballina Rajoni Gjuetia në Sarajevë, autoritetet italiane hetojnë vrasjet e fëmijëve

Gjuetia në Sarajevë, autoritetet italiane hetojnë vrasjet e fëmijëve

28
0

Prokuroria italiane tashmë zyrtarisht ka filluar t`i hetojë pretendimet se gjatë luftës në Bosnjë, pasanikë të huaj kanë paguar shuma të mëdha parash për të marrë pjesë në të ashtuquajturën “Gjueti në Sarajevë” duke gjuajtur me snajper civilë të pafajshëm në Sarajevën e rrethuar

Pretendime për vrasje fëmijësh në Sarajevë, Italia hap hetim zyrtar

Rrethimi i Sarajevës nga serbët ishte një nga më të gjatët në historinë evropiane. U vranë 1 600 fëmijë dhe 14 mijë të tjerë u plagosën. Vendimet e gjykatave të OKB-së kanë raportuar se çdo i dhjeti fëmijë u qëllua nga snajperët.

Shteti italian tashmë ka hapur një hetim zyrtar mbi pretendimet se gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, pasanikë të huaj kanë paguar shuma të mëdha parash për të marrë pjesë në atë që është quajtur ‘turizëm snajperësh’, ku janë qëlluar civilë në Sarajevën e rrethuar.

Ky hetim u nxit vitin e kaluar nga dëshmitë e ish-oficerit të inteligjencës dhe sigurisë ushtarake të forcave te armatosura të Bosnjës, Edin Subashiq.

“Këta janë njerëz shumë të pasur, shumë të fuqishëm dhe me ndikim në komunitetet e tyre, dhe kjo është një nga arsyet pse ata kanë qenë të paprekshëm deri më tani. Nuk është se këto fakte nuk njiheshin në Itali, por hetimet nuk u hapën sepse ata, përmes ndikimit dhe autoritetit të tyre, ishin në gjendje t’i ndalonin ato. Deri tani ia dolën, megjithatë me sasinë e provave që detyroi prokurorin të hapte një hetim dhe me presionin e madh publik, mendoj se pushteti i tyre është tejkaluar dhe se tani diçka do të ndodhë”, tha Subashiq.

Hetimi u nis nga Ezio Gavazeni një shkrimtar italian i cili kishte mbledhur prova mbi pretendimet si dhe nga një raport i dërguar nga ish-kryetarja e Sarajevës.

“Po, kam dëshmi, madje edhe vetë Sarajevo Safari, dokumentari që në vitin 2022 e preku këtë temë, e ngriti këtë çështje. Ka dëshmi të familjeve që humbën më të dashurit, për shembull, një vajzë e vogël u godit nga snajperi derisa ishte në karrocë fëmijësh, Snajperi qëlloi foshnjën e jo prindërit e tyre, sepse qëllimi i snajperit ishte të shkaktonte dhimbje maksimale, jo vrasje, por vrasje me dhimbje maksimale”, tha Gavazeni.

Ndërkohë, ish-kryetarja e Sarajevës ka deklaruar se informacionin e parë për “gjuetarët e shpërblimeve”, e kishte siguruar nga një vullnetar serb i kapur rob.

” Në vitin 2022, pas publikimit të filmit ‘Sarajevo Safari’, unë, u trondita nga krimet që ishin kryer në Sarajevë gjatë rrethimit. Ne e dinim se snajperët po vrisnin njerëz, po vrisnin fëmijë, por nuk e dinim, se snajperë të huaj vinin në urne fundjave’ në Sarajevë për të vrarë fëmijët tanë dhe se ekzistonin madje edhe lista çmimesh. E kisha përgjegjësi morale dhe zyrtare për të vepruar, ndaj në vitin 2022 ngrita një kallëzim penal në Prokurorinë e Bosnjës, në departamentin për krime lufte, ku dorëzova gjithçka që dija në atë kohë nga vetë filmi”, tha Benjamina Kariç, ish-kryetare e bashkisë së Sarajevës.

Hetimi ka ringjallur kujtime të dhimbshme për boshnjakët, të cilët thonë se drejtësia është vonuar shumë për krimet e kryera në Bosnjë. Sarajeva u rrethua nga Ushtria e Republikës Serbe nga viti 1992 deri në vitin 1995. Rrethimi që zgjati 1.425 ditë, ishte një nga më të gjatët në historinë moderne evropiane. Më shumë se 1.600 fëmijë u vranë dhe 14.000 u plagosën.