Ballina Politika ‘Spiropalizimi’ i Kosit, rasti i Kurz dhe standardet evropiane të Ramës

‘Spiropalizimi’ i Kosit, rasti i Kurz dhe standardet evropiane të Ramës

20
0

Kur shpërtheu skandali i manipulimit të sondazheve mediatike në favorin e tij, kancelari austriak, Sebastian Kurz ishte në kështjellën Brdo në Slloveni, vendlindjen e komisioneres Marta Kos.

Kurz kishte vendosur të takonte liderët e Ballkanit Perëndimor, në një samit që do ishte një nga daljet e fundit të tij si kryeministër.

Duke shfrytëzuar këtë moment, një media austriake i bëri thirrje për të dhënë dorëheqjen, ndër të tjera edhe për të mos dhënë shembullin e keq për ata liderët që po takonte.

Mund të duket ndoshta ofensive, por mesazhi ishte miqësor për ballkanasit: dorëheqja nuk është thjesht një akt që ushtrohet kryesisht në vendet perëndimore, pasi atje ekziston një kulturë tjetër. Por dorëheqja është një veprim që duhet bërë pasi në të kundërt, ai mund ta përdorë pushtetin e tij për të deformuar akoma më shumë strukturën demokratike të vendit.

Kurz u largua nga posti e më vonë edhe nga politika, ndoshta jo sepse donte të jepte një shembull të mirë për politikanët nga Ballkani, por për të treguar se dorëheqjet duhet të ndodhin që kur ka nisur denoncimi publik, e jo më kur çështja të shkojë në prokurori, aq më shumë kur është ngritur ndonjë akuzë apo janë vendosur masa sigurie.

Marta Kos në atë kohë nuk kishte detyrën e lartë që ka marrë brenda Komisionit Evropian.

Por çdo koleg i saj, me njohuri nga mënyra se si veprohet në një vend demokratik, do ishte tronditur nga mënyra se si u shpreh Edi Rama sot kur u pyet për skandalin e Belinda Ballukut. Pasi sulmoi drejtësinë dhe deklaroi disa herë se kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend perëndimor (!), e mori në mbrojtje Belinda Ballukun duke thënë se kjo ishte përplasje mes pushteteve, e cila do zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese.

Në vend që të shokohej nga ajo që po dëgjonte, Marta Kos tha se raste si ky i Ballukut ndodhin gjithandej.

Sigurisht nuk tha se për këto raste bëhen edhe filma, por qëndrimi i saj tregoi një nivel të pabesueshëm ‘spiropalizimi’, një nivel që kulmoi kur tha se zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme.

Historia e integrimit mund të ketë parë raste të çuditshme, por asnjë të tillë si ky i të premtes në Tiranë, kur ‘nxënësi’ jep përgjigjen më të keqe të mundshme dhe ‘mësuesja’ jo vetëm e duartroket, por edhe e tejkalon me zellin e saj./ Syri