Natyra ka gjunjëzuar edhe Greqinë, e cila po vuan kushte të këqija atmosferike prej disa ditësh dhe përmbytje masive kryesisht në zonën veri-perëndimore të saj.
Autoritetet dhe ekspertët thonë se vetëm këtë javë ra shi sa për një vit të tërë sipas statistikave. Më e prekur ishte zona e Epirit, por edhe Kreta.
Temperatura do të bjerë gradualisht dhe do të kalojë në ekstrem, me valë të ftohti pas shirave, referuar të dhënave nga Observatori Kombëtar i Athinës. Temperaturat do të bien deri në 8 gradë.
Me rastin e përmbytjeve të rënda që goditën Epirin, meteorologu Yannis Kallianos vazhdoi me një interpretim të fenomenit, duke nxjerrë në pah nivelet jashtëzakonisht të larta të reshjeve të regjistruara në rajon.
“Harta tregon reshjet mesatare vjetore në të gjithë vendin. Për t’ju dhënë një kut krahasimi, në qendër të Athinës reshjet mesatare vjetore janë afërsisht 400 milimetra. Në disa zona malore, në pesë ditët e fundit, u regjistruan gjithsej afërsisht 400 milimetra shi (në nivel lokal këto u tejkaluan gjithashtu). Me fjalë të tjera, uji që bie në qendër të Athinës në një vit të tërë ra në pjesë të Epirit malor vetëm në pesë ditë”, tha ai, sipas “Protothema”.
Kjo është edhe arsyeja, sipas tij, pse fenomenet e përmbytjeve ishin kaq të gjera, sepse tokat tashmë të ngopura morën sasi të reja, të mëdha shiu çdo ditë, pa kohë për thithje ose kullim.
Edhe videot e një kali të zhytur në ujë pas përmbytjeve dhe që u shpëtua nga emergjencat, bënë shumë shpejt xhiron e rrjetit ditën e sotme.







