Pas hapjes si bazë ajrore që shërben si qendër taktike për NATO-n në marsin e 2024-s, Baza Ushtarake në Kuçovë do të pësojë të tjera investime. Operatori i Blerjeve të Përqendruara, ka shpallur hapjen e garës për përmirësimin e infrastrukturës, veçanërisht në hangarin e bazës . Fondi limit i përllogaritur është 10 milionë e 985 mijë lekë.
Referuar dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti përfshin një sërë ndërhyrjesh, në ndërtimin e infrastrukturës elektrike, infrastrukturë telekomunikacioni përmes fibër optike, si dhe parashikohet plan-vendosja e ndriçuesve në rrugë.
Një element i rëndësishëm i projektit është ndërtimi i një kabine të re elektrike, e cila do të furnizohet me tension të mesëm 20 kV, në mënyrë që të garantohet funksionimi i pajisjeve elektrike në të gjithë kampusin.
Projektimi i rrjetit për sistemet elektrike është hartuar në përputhje të plotë me organizimin e ambienteve të përbashkëta, lëvizshmërinë brenda kampusit, vendosjen e objekteve dhe hapësirave të jashtme, përfshirë terrenet sportive dhe mjediset shoqëruese. Ky projekt pritet të modernizojë ndjeshëm infrastrukturën ajrore në Kuçovë, duke e përafruar atë me standardet bashkëkohore në siguri dhe teknologji.
Sipas dokumentit, parashikohet gjithashtu që të krijohet rrjeti i jashtëm i furnizimit me ujë, i cili do të kryhet përmes tubacionit kryesor ekzistues të Bashkisë Dimal.
Gjatë zbatimit, është parashikuar përdorimi i produkteve dhe materialeve të certifikuara, të cilat janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, me qëllim garantimin e një ndërtese funksionale, moderne dhe të sigurt, thuhet në dokument.







