Ballina Politika CNA: Si Irfan Hysenbelliu e sulmon Këlliçin për Erion Veliajn

CNA: Si Irfan Hysenbelliu e sulmon Këlliçin për Erion Veliajn

54
0

Irfan Hysenbelliu, përmes mediave të tij, ka sulmuar opozitën për të mbrojtur Erion Veliajn.

Në mediat e Irfan Hysenbelliut thuhet se një deputet shumë i rëndësishëm i Partisë Demokratike ka komunikuar në një grup “WhatsApp”-i me ish-kreun e ARRSH-së, Evis Berberin, ku sipas pretendimeve deputeti kërkonte para për molotovë në protestat para bashkisë dhe se opozita është blerë.

Në fakt, këto mbeten thjesht dhe vetëm gënjeshtra sa kohë faktet përballë janë të tilla:

Së pari, drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, është arrestuar më 14 mars. Së dyti, drejtorët e “5D” u arrestuan më 28 mars të vitit 2024. Së treti, protestat e opozitës para Bashkisë së Tiranës nisën më 5 prill të vitit 2024.

Përballë këtyre fakteve, deklaratat në mediat e Irfan Hysenbelliut rrëzohen totalisht. Sipas llogarive të mediave të Fanes del që nga burgu na shkonin “sms” kur në fakt telefonat janë sekuestruar pikërisht në momentet e arrestimit të Berberit.

Irfan Hysenbelliu për të vërtetuar gënjeshtrat që publikohen në mediat e tij duhet të na thotë emrin e deputetit që sipas tij ka marrë para dhe nëse ka marrë para sa është shifra.

Pretendohet se deputeti ka komunikuar në “WhatsApp” me drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberin, ku janë mesazhet? Pse nuk i nxjerr mesazhet nga dosja e Prokurorisë ku të evidentohet ky detaj?

Mesazhet kanë dalë të gjitha dhe s’ka komunikim me ndonjë deputet të PD-së, por ky është një skenar i dirigjuar nga Fania, miku i shtrenjtë i të burgosurit Erion Veliaj. Fania që nuk paguan taksat dhe rrogat apo sigurimet e gazetarëve.

Tani e vërteta duhet të dalë. Përgjimet i kemi edhe ne si CNA, kemi pasur dhe përgjimet për njerëz e media që nga provat e SPAK-ut dalin se kanë marrë para dhe paguhen nga vëllai i Erion Veliajt, Arbër Veliaj. Përgjimet e Veliajt, “Fane media” nuk i publikoi kurrë, për këto të tjerat thjesht gënjen kur i intereson të bëjë lojë të shumëfishtë.

Ne i kemi denoncuar me prova dhe fakte këto. Kemi publikuar përgjimet ku tregohej se si mediat dirigjoheshin nga Veliaj në burg.

Por Irfan Hysenbelliu është kapur mat duke publikuar gënjeshtra dhe mashtrime, duke mos nxjerrë as mesazhet nga dosja e prokurorisë, duke mos nxjerrë as emrin e deputetit dhe as sasinë e parave, të cilat pretendohet se ka marrë deputeti nga kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, duke krijuar thjesht “një furtunë në gotë”.

Sipas logjikës dhe mashtrimeve të mediave të Irfan Hysenbelliut i bie që Evis Berberi ka folur nga burgu për të protestuar kundër Veliajt dhe kjo është estradë. Le të nxjerrin mesazhet.

Dakord për betejën dhe luftën e tij me Belinda Ballukun ta vazhdojë, por jo me mashtrime dhe gënjeshtra, por me të vërteta dhe fakte.

Irfani duhet të thotë të vërtetën pse krijon intriga që akuzojnë opozitën dhe çojnë ujë te burimi i Erion Veliajt. Akuzat e “Fane media” më pas përdoren si debat politik apo ripërsëriten nga ushtarët e Veliajt, çka tregon qartë skemat dhe skenarin bashkë me dirigjentin./ CNA