Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, i është përgjigjur emergjencës në spitalin Onkologjik me udhëtime jashtë vendit dhe marrëveshje afatgjata që marrin kohë për t’u zbatuar. Takimi i saj i fundit në Itali me Ruggero De Marian, Presidentin e Aleancës Kundër Kancerit, u prezantua si një hap i rëndësishëm në luftën kundër kancerit. Sipas saj, fokusi ishte te parandalimi, trajtimi dhe kujdesi për pacientët onkologjikë.
Por kjo histori nuk është e re. Paraardhësit e saj kanë firmosur marrëveshje të ngjashme, të cilat mbetën premtime në letër dhe nuk sollën ndryshime të prekshme. Mjafton të kujtohet marrëveshja e bujshme e shkurtit me spitalin Sheba në Izrael — e shpallur si zgjidhja e madhe për radhët, korrupsionin dhe mungesën e barnave të reja. Sot, rezultati është i njëjtë: asnjë përmirësim real.
Pacientët dhe stafi vijojnë të denoncojnë mungesa të rënda barnash dhe pajisjesh, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar keqmenaxhim serioz në Onkologjik. Situata është e rëndë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, jo albume fotosh e premtime ndërkombëtare.
E vërteta është se zgjidhja nuk ka nevojë për postime, delegacione dhe udhëtime. Atë që nuk arrijnë ta zgjidhin menaxherët e shëndetësisë, e kuptojmë madje dhe ne që s’kemi lidhje me menaxhime të vështira: çojini fondet e spitalit Onkologjik atje ku duhet, ndaloni abuzimin me çmimet dhe hiqni dorë nga favorizimi i spitaleve private.
Sepse pacientët e Onkologjikut nuk kanë nevojë për vizita protokollare. Kanë nevojë për barna, pajisje dhe trajtim — sot, jo pas nënshkrimit të marrëveshjes së radhës.







