Ballina Ekonomia Ministrja Ibrahimaj zbulon datën/ Ja kur merret bonusi i fundvitit për pensionistët

Ministrja Ibrahimaj zbulon datën/ Ja kur merret bonusi i fundvitit për pensionistët

71
0

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, është shprehur se pensionistët do ta marrin bonusin e këtij fundviti që nga data 1 dhjetor.

Komentet Ibrahimaj i bëri gjatë dëgjesave për buxhetin me banorë të njësisë nr.11 në Tiranë, ku e pranishme ishte edhe Ogerta Manastirliu.

Ibrahimaj tha se bonusi i këtij viti për pensionistët do të jetë i barabartë me bonusin e vitit të kaluar, ku ata që marrin pension mbi 200 mijë lekë të vjetra, do të marrin bonus 100 mijë lekë të vjetra dhe ata që marrin pension nën 200 mijë lekë të vjetra, do të marrin bonus 150 mijë lekë të vjetra.

Ajo shtoi se mazhoranca ka vendosur një buxhet prej 1.7 miliardë eurosh për pensionistët deri në vitin 2030, e cila parashikon edhe bonuset dhe indeksimet në pensione.

“Shumëkush në komunikimin që kemi bërë për pensionet, na kanë thënë që ‘ç’keni bërë juve? Keni marrë bonusin e fundvitit dhe e keni shpërndarë për vitin 2026’. E vërteta nuk është kjo, e vërteta është se bonusi i fundvitit do të jetë dhe pensionistët do ta marrin që nga 1 dhjetori i ardhshëm dhe do të jetë i barabartë me bonusin që është dhënë edhe vitin e kaluar.

Pra të gjithë pensionistët që kanë një pension më të vogël se 200 mijë lekë, do të marrin 150 mijë lekë bonus dhe të gjithë ata që kanë një pension më të madh sesa 200 mijë lekë, do të marrin 100 mijë lekë bonus. Kjo është një përpjekje e buxhetit në total në 5 vitet në vijim deri në vitin 2030, ku fondi që ne do të vëmë në dispozicion për pensionistët është 1.7 miliardë euro, ndërmjet bonusit dhe indeksimeve që në vetëvete është një vlerë rreth 50 milionë euro për çdo vit.

Është një shumë e madhe, e rëndë për buxhetin e shtetit, por ne më në fund kemi arritur në atë stad të nivelit ekonomik që të gjenerojmë të ardhura dhe të kemi mundësi që ato të ardhura të rishpërndahen te të gjithë brezat”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.