Papa Leo XIV po nis udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, një pelegrinazh në Turqi dhe Liban, që është i ndjeshëm për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, por edhe të vëmendjes së madhe mediatike që do të dokumentojë daljen e parë në skenën ndërkombëtare të papës së parë amerikan në histori.
Papa Leo po realizon një udhëtim që Papa Françesku kishte planifikuar ta bënte, për të shënuar një përvjetor të rëndësishëm me ‘Kishën Ortodokse’ në Turqi. Në Liban, ai do të përpiqet të forcojë një komunitet të krishterë, që po vuan prej kohësh, si dhe libanezë të të gjitha besimeve, të cilët ende kërkojnë drejtësi për shpërthimin në portin e Bejrutit në vitin 2020, raporton AP.
Leo, i cili ka kaluar 12 vjet si epror i rendit të tij fetar augustinian dhe dy dekada si misionar në Peru, thotë se e do udhëtimin. Javët e fundit, ai ka treguar gjithashtu aftësi diplomatike dhe gjuhësore, duke iu përgjigjur me lehtësi pyetjeve të gazetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ky udhëtim po ndiqet nga afër nga mediat amerikane, me të gjitha rrjetet kryesore amerikane: ABC, CBS, NBC dhe Fox, si dhe CNN dhe BBC, që janë pjesë e grupit shoqërues të Papa Leos, duke ndjekur fjalimet, meshët dhe lutjet e tij në një moment vendimtar të negociatave për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe për të ruajtur armëpushimin në Gaza.
“Sa herë që Papa udhëton, është një ngjarje e madhe,” tha Natalia Imperatori-Lee, profesoreshë e asociuar e Teologjisë në Universitetin Fordham në Nju Jork.
“Por një papë amerikan në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit është një ngjarje edhe më e madhe”, tha ajo, “veçanërisht në ekosistemin e mbingopur mediatik amerikan, ku Leo ka dalë si një figurë kundërvënëse ndaj administratës Trump dhe politikave të saj të ashpra ndaj emigrantëve”.
“Ai vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes këtu për shkak të angazhimit të tij me njërën nga çështjet më të rëndësishme me të cilat po përballemi, që është migrimi,” tha Kim Daniels, drejtoreshë e Nismës për Mendimin Social Katolik dhe Jetën Publike në Universitetin Georgetown. Për këtë arsye, “mendoj se ky udhëtim do të rikthejë vëmendjen te periferitë dhe te më të pambrojturit.”







