Një zbulim i pazakontë është bërë mëngjesin e së martës gjatë punimeve në rrugën Van Langenhovestraat në Belgjikë, ku disa punëtorë kanë gjetur një sasi të konsiderueshme ari.
Menjëherë pas zbulimit, punëtorët kanë njoftuar autoritetet, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë marrë në dorëzim arin. Sasia e gjetur është inventarizuar dhe më pas është transportuar për t’u ruajtur në një kasafortë të sigurisë së lartë të shërbimeve federale.
Lajmi për gjetjen e arit duket se ka tërhequr edhe persona të tjerë, të cilët kanë tentuar ose kanë shprehur interes për të kërkuar në zonën ku u bë zbulimi.
Autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët që të mos hyjnë në kantier, duke theksuar se zona është e rrethuar dhe përmban gropa që mund të përbëjnë rrezik serioz për sigurinë. Ata kanë bërë të ditur gjithashtu se vendi është kontrolluar dhe se i gjithë ari i gjetur është larguar.
Ende nuk është bërë e ditur origjina e arit apo se si ai kishte përfunduar në këtë zonë.
Autoritetet kanë shprehur shpresën që thesari të përfundojë te pronari i ligjshëm dhe që zbulimi i papritur të ketë një përfundim pozitiv.







